Tsipras, në Beograd: BE të korrigjojë gabimet ndaj Ballkanit

Nga samiti i dytë midis 4 vendeve ballkanike, Greqisë, Bullgarisë, Rumanisë dhe Serbisë, të zhvilluar në Beograd, kryeministri grek Alexis Tsipras i ka bërë thirrje Bashkimit Europian të korrigjojë gabimet e mëdha që ka bërë në përballimin e vendeve të këtij rajoni.

Lajme

10/12/2017 14:15

Duke iu referuar edhe takimit me presdeintin turk Erdogan, Alexis Tsipras ka theksuar se duhet folur me fqinjët në mënyrë konstruktive për të ardhmen në Ballkan, sado e vështirë të jetë kjo, dhe se paqja, stabiliteti dhe rritja ekonomike në këtë rajon arrihen vetëm duke respektuar të drejtën ndërkombëtare, ku Traktati i Lozanës do të ishte një “gurthemel” për Ballkanin.

“BE-ja duhet të korrigjojë sa më shpejt një gabim të madh, i cili i ka rrënjët në mënyrën me të cilën Europa ka përballuar në tërësi këtë zonë të Ballkanit. E dimë se Ballkani ishte gjithnjë një rajon i rrezikshëm. Fuçia e barutit quhej dikur. U bënë gabime dhe padrejtësi, e duhen korrigjuar. Nuk mundet që Serbia të jetë jashtë familjes europiane, kur shumica e popullsisë dëshiron të jetë pjesë e BE-së”, tha Alexis Tsipras, kryeministër i Greqisë.

Përveç Serbisë, në kuadrin e bisedimeve midis 4 udhëheqësve ballkanikë i është dhënë vëmendje e veçantë zgjerimit të BE-së, me integrimin edhe të ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë, si dhe të Shqipërisë.

Pasi ka falenderuar kryeministrat e Bullgarisë, Greqisë dhe Rumanisë, për mbështetjen e tyre ndaj Serbisë, presidenti Vuçiç ka theksuar rëndësinë e projekteve infrastrukturore, për të cilat kanë folur ata, si tubacionet e gazit, hekurudhat dhe autostradat.

“Jam shumë mirënjohës për miqtë tanë, që e mbështesin Serbinë në rrugën e saj europiane. Biseduam si të përshpejtojmë rrugën e Serbisë, ta sjellim më pranë BE-së, dhe çfarë është ajo që duhet të bëjmë e si të presim ndihmë nga miqtë tanë”, tha Aleksandar Vuçiç, presdient i Serbisë.

Katër udhëheqësit ballkanas kanë parashtruar në bisedime të gjitha aspektet e samitit të ardhshëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor me BE-në, që do të mbahet në majin që vjen, si dhe axhendën e presidencës bullgare në gjashtëmujorin e parë të vitit 2018, të cilën e kanë quajtur “Presidenca ballkanike”./Top Channel