Trump pezullon vendimin për importimin e pjesëve të elefantëve

Presidenti Donald Trump ka deklaruar se do të pezullojë përkohësisht vendimin për të lejuar importet e pjesëve të elefantëve, në mënyrë që ai të “rishqyrtojë të gjithë faktet rreth mbrojtjes së kafshëve”.

Bota

18/11/2017 19:31

Në një postim në Twitter të premten, Trump tha se do ta shqyrtojë çështjen me Sekretarin e Brendshëm Ryan Zinke.

Ai tha se rregulli ka qenë “nën studim për disa vite”.

Ndryshimi i menjëhershëm pasoi një njoftim të enjten nga Shërbimi për Peshqit dhe Kafshët e Egra, i cili tha se do të lejojë importimin e pjesëve të elefantëve të qëlluar për sport në Zimbabve dhe Zambia.

Agjencia arriti në përfundimin se inkurajimi i gjuetarëve për të vrarë speciet e kërcënuara do të ndihmonte në mbledhjen e fondeve për programet e mbrojtjes së kafshëve.

Grupet për të drejtat e kafshëve si dhe grupet mjedisore e kritikuan vendimin, duke thënë se kjo mund të zhdukte elefantët që janë në rrezik zhdukjeje.

Elefantët afrikanë janë listuar si të kërcënuar për zhdukje nën Aktin e Specieve të Rrezikuara të Shteteve të Bashkuara.