Tronditet Miloti, gruaja futet me pistoletë në treg dhe vret burrin 42-vjeçar

Miloti është zgjuar me një krim tronditës mëngjesin e kësaj të diele. Në orën 07.10 një grua 35-vjeçare ka vrarë me armë zjarri bashkëshortin e saj 42 vjeç.

Lajme

17/06/2018 09:46

Ngjarja e rëndë ndodhi në tregun e Milotit në Kurbin. Sipas policisë, gruaja Violeta Donaj, banuese në Rrëshen, ka vrarë me pistoletë burrin Kujtim Donaj 42 vjeç.

Blutë e Kurbinit thonë se janë ende të paqarta motivet e këtij krimi në familje.

Sipas informacioneve të para, gruaja ka shkuar me pistoletë në dorë në treg, dhe menjëherë ka qëlluar ndaj bashkëshortit të saj, i cili punonte në pazarin e Milotit.

Menjëherë pas ngjarjes, gruaja ka tentuar të largohet por ndërhyrja në kohë e forcave policore, ka bërë të mundur kapjen dhe arrestimin e saj në flagrancë si dhe sekuestrimin e pistoletës me të cilën është kryer krimi.

“Grupi hetimor në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Kurbin, po vazhdojnë hetimet në vendngjarje për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes”, përfundon një njoftim paraprak i policisë.