Trajneri i Spanjës: Shqipëria një skuadër e madhe

Julen Lopetegui ka vetëm vlerësime për Shqipërinë, përballë sfidës së kësaj të diele në “Loro Boriçi”.

Sport

08/10/2016 20:26

Në konferencën për shtyp përpara ndeshjes, trajneri i Spanjës shfaqi respekt për kuqezinjtë, duke vlerësuar rritjen e skuadrës së Gianni De Biasit.

“Kemi gjithmonë presionin se duhet të luajmë për të fituar. Tashmë përballemi me Shqipërinë, që është shndërruar në një skuadër të madhe dhe e ka merituar vendin e saj në finalet e Euro 2016 dhe në krye të këtij grupi. Shqipëria është një ndër skuadrat që është rritur më së shumti në vitet e fundit në Europë dhe e treguan gjatë edicionit të kaluar, duke fituar në Portugali. A i trembemi rivalëve? Nuk i trembemi asnjë kundërshtari, por kemi vetëm respekt profesional. Është një respekt i futuar nga ekipi shqiptar, ndeshje pas ndeshje. Shqipëria është një skuadër mjaft konkurruese në të gjitha aspektet dhe me lojtarë mjaft cilësorë”.

Drejtuesi i stolit të La Rojas nuk preferoi të bënte komente terrenin në “Loro Boriçi”, me spanjollët që prej ditësh kanë shprehur shqetësim se gjendja e fushës mund të ndikojë në paraqitjen e tyre.

“Terreni është ai që është dhe nuk mund të bëjmë asgjë. Por, ajo që mund të bëjmë është të impenjohemi maksimalisht në fushën e lojës”.

Lopetegui nuk preferoi të jepte detaje për formacionin me të cilin Spanja do të luajë ndaj Shqipërisë, ndërsa komentoi edhe grupin kualifikues drejt finaleve të Botërorit 2018.

“Luajtëm me Italinë vetëm 48 orë më përpara dhe kjo ka ndikuar në lodhjen e lojtarëve, pavarësisht se këta janë profesionistë të mësuar të luajnë çdo tre ditë. Jam i kënaqur nga paraqitjet e skuadrës, loja e shfaqur dhe rastet e krijuara për gol. Do të shohim gjendjen e skuadrës deri në momentet e fundit dhe më pas do të vendosim se çfarë formacioni do të hedhim në fushë. Ndaj Shqipërisë sfidë vendimtare për grupin? Ky do të jetë një grup i luftuar deri në fund të kualifikueseve. Megjithatë nuk duhet të harrojmë që na ndajnë edhe dy vjet nga Kupa e Botës”./Supersport/

Parashikoni ndeshje të futbollit dhe fitoni dhjetëra shpërblime, duke përfshirë një iPhone 6S dhe Samsung Galaxy S6.