Thirrje antishqiptare në manifestimin e organizuar nga presidenti Ivanov

Me thirrjet anti-shqiptare “Shqiptar i mirë është shqiptari i vdekur” një pjesë e të pranishmëve përcollën ceremoninë e vendosjes së luleve në Meçkin Kamen në Krushevë, që ndodhi para syve të Presidentit, Gjorge Ivanov.

Lajme

02/08/2018 17:19

Alsat kontaktoi Presidencën, e cila ishte organizatore e manifestimit, por nga ky institucion nuk e panë të udhës as edhe të distancohen nga thirrjet raciste antishqiptare, ndërsa sipas Kushtetutës presidenti duhet të jetë figurë unifikuese në shtet, ndërsa thirrjet u bënë në festën e Ilindenit.-transmeton Alsat-M.

Presidenti, Ivanov në festën e Ilindenit u paraqit para qytetarëve me një fjalim të ashpër kundër pushtetit. Ai ashpër kundërshtoi Marrëveshjen me Greqinë për çështjen e emrit, e cila sipas Ivanovit, e ridefinon shtetin dhe e nënshtron atë ndaj Greqisë si dhe e fshin identitetin dhe historinë maqedonase. Edhe përskaj faktit se NATO-ja ka garantuar anëtarësimin e vendit sapo ta finalizojë Marrëveshjen me Greqinë, Ivanov theksoi disa herë se marrëveshja nuk garanton me automatizëm integrim të vendit në NATO dhe BE.

“Çfarë na duhet prosperiteti, pa identitet?!” me këtë pyetje retorike Ivanov iu drejtua edhe ndërkombëtarëve, të cilët sipas tij, duan ta bindin popullin të vetë-shuhet.

Nga ana tjetër, atmosferë krejtësisht e ndryshme mbretëronte në manifestimin në Pelincë. Pos këngëve dhe valleve maqedonase, në këtë organizim të Qeverisë, u shfaqën edhe valle shqipe dhe ato të bashkësive të tjera etnike në vend.

Maqedonia feston Ditën e Republikës 2 Gushtin dhe dy Ilindenët historik, 115 vjetorin e fillimit të Kryengritjes së Ilindenit.