Thaçi tregon se çfarë bisedoi në tri takimet me Macron

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka folur për takimet që ka pasë me presidentin e Francës, Emmanuel Macron, gjatë ceremonisë së shënimit të 100 vjetorit të të përfundimit të Luftës së Parë Botërore, në Paris.

Lajme

12/11/2018 21:54

“Me presidentin francez [Emmanuel Macron] kam zhvilluar tri takime të shkurtra – kemi qenë edhe të shtunën në darkë, edhe në koktej, edhe në pritjen e tij dhe gjithashtu edhe në manifestime të ndara”.

“Të nesërmen keni qenë po ashtu së bashku, edhe në manifestimin qendror, edhe gjatë drekës, edhe gjatë Forumit të Paqes, ku presidenti Macron ka mbajtur përsëri fjalim”.

“Është mbështetje e fuqishme për INTERPOL-in, por duhet të punojmë edhe më shumë me Ministritë dhe institucionet përkatëse në Paris për liberalizimin e vizave, kështu që me të gjitha vendet e Kuintit duhet të kultivojmë partneritetin strategjik tonin”.

I pari i vendit ka thënë në Klan Kosova se shteti i Francës përkrahë dialogun dhe arritjen e një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë.

“Presidenti Emmanuel Macron e mbështetë dialogun Kosovë-Serbi. Franca mbështetë negociatat për arritjen e një marrëveshjeje të vullnetit të mirë, gjithëpërfshirëse mes Kosovës dhe Serbisë – një marrëveshje që hap perspektivën evropiane të të dyja vendeve”.

“Negociatat dhe dialogu zhvillohen në Bruksel dhe udhëhiqen nga Federica Mogherini por natyrisht se varen edhe prej qëndrimit të shteteve anëtare të BE-së, kështu që Franca ka rol të rëndësishëm”.

“Dallimet mes vendeve të BE-së për çështje të rëndësishme janë dallime që diskutohen brenda forumeve të tyre dhe në fund dilet me një qëndrim unik”.

“Prandaj dialogu Kosovë-Serbi mbështetet nga Bashkimi Evropian në mënyrë unike dhe të gjithë duan marrëveshje paqësore që hap të ardhmen evropiane për të dyja vendet”.