Intervistë: Thaçi thotë se po manipulohet me shifrat e emigrantëve ilegal

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Hashi Thaçi, ka kritikuar partitë opozitare dhe faktorët tjerë publikë, se po mundohen t’i materializojnë deklaratat e tyre kundër marrëveshjeve të arritura në Bruksel.

Lajme

14/02/2015 13:08

Në një intervistë për lajmi.net, Thaçi ka bërë të ditur se marrëveshja e fundit e arritur në Bruksel në mes të kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa dhe atij të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka marrë bekimin e Kuvendit si dhe të gjitha institucioneve tjera relevante të vendit.

Ai ka shprehur shqetësimin për dezinformatat që po i bëhen qytetarëve të Kosovës nga disa grupe kriminale, për t’i motivuar ata për ta lënë vendin dhe të kalojnë kufijtë ilegalisht. Kreu i PDK-së dhe numri dy i Qeverisë së Kosovës ka vlerësuar se numri i migrantëve kosovarë i cili po publikohet në disa media, nuk është real, dhe se ai po tentohet të fryhet nga disa parti opozitare, për interesa politikë.

Thaçi ka folur edhe për reformën zgjedhore e cila, sipas tij, duhet të bëhet sa më shpejtë. Ai ka preferuar që zgjedhjet e ardhshme të mbahen me lista të mbyllura, pasi sipas tij, kjo do të krijonte më pak hapësirë për manipulim.

Lajmi.net: Sapo ishit në SHBA dhe kishit takime me zyrtarë të lartë, me senatorë dhe kongresmenë të SHBA-ve. Cili ishte qëllimi i këtyre takimeve dhe sa ishin rezultative?

Thaçi: Vizita në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është bërë në kuadër të forcimit të bashkëpunimit bilateral mes dy shteteve me raporte speciale, mes SHBA-së dhe Kosovës. Ajo ndërlidhej edhe me dy evenimente të rëndësishme, me Lutjet e Mëngjesit në Washington dhe me raportimin e rregullt për gjendjen në Kosovë në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Në Washington kemi pasur takime me përfaqësues të lartë shtetërorë që e përcjellin apo që janë përgjegjës për Kosovën, si në Departamentin e Shtetit me zonjën Nuland, e cila është ndihmës-sekretare e shtetit për Evropë dhe Euroazi, ashtu edhe me zotin Charles Kupchan në Këshillin Kombëtar të Sigurisë, që është edhe drejtor i lartë për Çështje Evropiane. Pastaj edhe në Departamentin e Mbrojtjes jemi takuar me asistenten e parë, Christine Wormuth, si dhe kemi pasur edhe shumë takime me kongresmenë, senatorë, por edhe me shumë miq të Kosovës.

Në të gjitha këto takime theksi ishte te nevoja që raporti i veçantë që kanë Kosova dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës të ruhet dhe të forcohet, si dhe të mbahet vëmendja e Washingtonit në zhvillimet në Kosovë dhe në rajon. Gjithashtu, miqtë amerikanë i kemi njoftuar edhe për formimin e qeverisë së re dhe prioritetet e saj. Por, edhe për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe aspiratat tona që sa më parë të bëhemi pjesë të Këshillit të Evropës dhe Partneritetit për Paqe, si konfirmime të të arriturave tona në rrugën drejt BE-së dhe NATO-s, që mbesin edhe caku ynë përfundimtar. Ndërsa, në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara biseduam edhe për raportin e fundit të sekretarit të përgjithshëm Ban Ki Moon, mbi zhvillimet e fundit në Kosovë. Pavarësia dhe sovraniteti i Kosovës janë realitet i pakthyeshëm dhe ky realitet është duke u pranuar nga të gjithë anëtarët e bashkësisë ndërkombëtare. Kjo u pasqyrua edhe në raportimin e fundit për gjendjen në Kosovë në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ku u pranua nga të gjithë se Kosova sot është storie suksesi.

Lajmi.net: Është raportuar se marrëveshja për gjykatat në Veri është në kundërshtim me parimet themelore të pavarësisë së gjykatave, kurse përbërja e gjykatësve dhe prokurorëve, sipas kryeministrit serb, do të jetë e bazuar në përkatësinë e tyre etnike. Çfarë përmban kjo marrëveshje dhe a është shmangur ligji i Kosovës për Gjykatat?

Thaçi: Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë zhvillohet me lejen e Kuvendit të Kosovës dhe çdo marrëveshje e arritur në dialog duhet të miratohet nga Kuvendi i Kosovës dhe duhet të jetë në përputhje të plotë me ligjet e Kosovës. Edhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese e konfirmoi përputhshmërinë e deritashme të marrëveshjeve me Kushtetutën e Kosovës. Është me rëndësi të kuptohet se normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë dhe fqinjësia e mirë me të gjitha vendet e rajonit nuk është interes vetëm i qeverisë apo i disa partive politike, por është interes i të gjitha partive politike dhe i tërë Kosovës. Marrëveshjet e deritashme, përkundër akuzave që bëheshin nga disa parti politike dhe eksponentë të shoqërisë civile, u treguan shumë të dobishme për Kosovën. Pjesa veriore e Kosovës tash është krejtësisht nën juridiksionin e shtetit të Kosovës dhe deri tash kemi parë dy palë zgjedhje të suksesshme, në përputhje me ligjet e Kosovës, që kanë vendosur liderë legjitim në krye të komunave në veri të Kosovës. Frikësimet nga marrëveshjet e arritura, deri tash nuk u materializuan dhe e njëjta do të konfirmohet edhe me marrëveshjen e fundit për gjykatat.

Lajmi.net: Kosovarët muajve të fundit janë bërë problem për shumë shtete të BE-së, me emigrimin ilegal. Çfarë po bën Qeveria dhe konkretisht Ministria e Punëve të Jashtme për parandalimin dhe përgatitjen e kushteve për kthimin e atyre, sepse dihet që pak ka gjasa të marrin azil? Pse po ndodh kjo ikje masive?

Thaçi: Qeveria e ka marrë me seriozitet maksimal çështjen e largimit të qytetarëve të Kosovës drejt vendeve perëndimore. Shqetësimi kryesor i Qeverisë është frika nga manipulimi i qytetarëve nga trafikantë të qenieve njerëzore, që janë edhe inkurajuesit kryesorë të këtyre lëvizjeve. Trafikantët, të cilët janë përfituesit e vetëm nga kjo dukuri, po përhapin dezinformata se qytetarët e Kosovës do të përfitojnë strehim dhe asistencë, por edhe leje qëndrimi në vendet e BE-së, edhe pse të gjitha vendet e BE-së e kanë thënë qartë se për qytetarët e Kosovës nuk ka më azil. Gjithashtu, shqetësuese është edhe tendenca që të manipulohet me numrat dhe me fenomenin në përgjithësi, pasi shifrat zyrtare tregojnë për numër shumë më të vogël të të larguarve se shifrat spekulative që përmenden nëpër media prej përfaqësuesve të partive opozitare dhe prej përfaqësuesve të shoqërisë civile të afërt me opozitën në Kosovë.

Lajmi.net: Jeni në partneritet me LDK-në dhe keni fuqinë e numrave. Cilat janë sfidat e koalicionit të tashëm qeverisës?

Thaçi: Koalicioni aktual qeverisës mes PDK-së dhe LDK-së është koalicion që ka fuqinë dhe stabilitetin politik për t’u përballur me të gjitha sfidat me të cilat përballet Kosova. Kanë mbetur shumë punë të papërfunduara e të filluara në qeverisjen e kaluar, si formimi i Forcave të Armatosura të Kosovës, përmbushja e obligimeve ndërkombëtare që ka Kosova, dialogu dhe Gjykata Speciale, por edhe punët tjera të papërfunduara si reforma e sistemit elektoral në Kosovë.

Ne jemi të vonuar me reformën zgjedhore dhe nevoja për një ndryshim domethënës të sistemit është pranuar nga të gjitha palët edhe gjatë legjislaturës së kaluar parlamentare. Tash ne kemi një përvojë të konsiderueshme demokratike në organizimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme dhe e dimë çka shkon mirë dhe çka nuk shkon në sistemin aktual zgjedhor. Unë besoj se ne duhet të bëjmë ndryshime si në sistemin zgjedhor, ashtu edhe në procesin e administrimit. Duke u nisur nga ato pak parregullsi që kemi parë në zgjedhjet e fundit, unë personalisht do të isha në favor të listave të mbyllura. Me lista të mbyllura, ne i shmangim edhe parregullsitë që na erdhën si pjesë e luftës së brendshme partiake të kandidatëve të së njëjtës listë dhe shmangnim edhe patronazhin politik mes kandidatit dhe votuesve në terren. Për sa i përket procesit të administrimit, ajo pak kritikë që erdhi në zgjedhjet e kaluara i takonte numërimit dhe unë vlerësoj se duke përdorur teknologjitë e reja bashkëkohore e pse jo edhe votimin elektronik, ne mund ta rrisim shumë edhe integritetin dhe efikasitetin e procesit të numërimit. Gjithsesi për të bërë reformën, ne kemi nevojë edhe për një debat të hapur, transparent e gjithëpërfshirës me të gjitha palët e interesuara për të arritur një mirëkuptim sa më legjitim dhe konsensual për sistemin e ardhshëm zgjedhor.

Por, ajo që është më e rëndësishmja është se përballja me këto çështje është interes kombëtar i Kosovës e jo vetëm interes i disa partive politike. Rrjedhimisht, të gjitha partitë e përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës duhet të angazhohen të kontribuojnë në mënyrë konstruktive në këto çështje. Mirëpo, edhe nëse ka parti që nuk dinë t’i vendosin interesat e Kosovës mbi interesat partiakë, koalicioni aktual qeverisës ka fuqinë që t’i shtyjë përpara të gjitha proceset që janë të rëndësishme për të vendin. (lajmi.net)