Thaçi: Pa votimin e Gjykatës Speciale, na kontestohe liria dhe pavarësia

Zëvendëskryeministri i Kosovës, njëherësh ministër i Punëve të Jashtme, në një intervistë për Telegrafin ka theksuar se Kosova tashmë ka kaluar në fazën kur nuk kërkon vetëm njohje kuantitative, por njohje kualitative.

Lajme

13/05/2015 21:01

Në këtë intervistë Thaçi flet edhe për votimin e Gjykatës Speciale në Kuvendin e Kosovës, i cili pritet të bëhet shumë shpejt, duke theksuar se “nëse ne vet nuk e bëjmë këtë, atëherë u japim të tjerëve të drejtën që vazhdimisht ta kontestojnë të drejtën tonë për liri dhe pavarësi.

Ai ka folur edhe për miratimin, në procedurë të shkurtuar, të tekstit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit në mes të Bashkimit Evropian (BE) dhe Kosovës, duke thënë se kjo është një meritë e të gjithë qytetarëve të Kosovës.

Shefi i diplomacisë, ndonëse e pranon se në Kosovë kemi një gjendje jo fort të pëlqyeshme, thotë se ekziston edhe një perceptim më i keq për gjendjen e përgjithshme nga ana e qytetarëve, se sa që është gjendja në realitet.

Telegrafi: Kosova, që nga formimi i Qeverisë se re nuk ka arritur të sigurojë asnjë njohje. Pse ka ndodhur ky stopim i njohjeve?

Thaçi: Në fakt, Kosova është në pritje të formalizimit të një prej njohjeve më të rëndësishme: nënshkrimin e Marrëveshjes për Stabilizim dhe Asociim (MSA) me Bashkimin Evropian (BE). Në ditët e para të formimit të Qeverisë erdhi një njohje tjetër e rëndësishme, ajo nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar, që i ka hapur derë anëtarësimit të shumë federatave tjera sportive në forumet përkatëse ndërkombëtare. Sapo të nënshkruajmë MSA-në, do të aplikojmë për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe UNESCO. Aplikimet janë gati.

Kemi lobuar dhe jemi koordinuar me mbështetësit e shtetit të Kosovës, sepse siç e dini, anëtarësimi apo njohja nuk është vetëm çështje aplikimi formal, por më tepër është çështje e lobimit të gjithanshëm që pala të pranojë Kosovën. Pra, mund ta vëreni edhe ju që kemi kaluar në një fazë tjetër të kërkimit të njohjeve, ku kërkohen njohje kualitative e jo më kuantitative. Numri i njohjeve ka qenë i rëndësishëm derisa nuk e kaluam numrin 100, që të kemi njohje nga më shumë se gjysma e botës. Tash theksi është tek marrja e njohjeve që sjellin kualitet, sidomos në jetën e qytetarëve të Kosovës.

MSA-ja, për shembull, paraqet hyrjen e Kosovës në marrëdhënie kontraktuale me BE-në dhe përbën një ndryshim të madh kualitativ të marrëdhënieve mes Kosovës dhe BE-së. Anëtarësimi në Këshillin e Evropës do të ofrojë instrumente për qytetarët e Kosovës që të mbrojnë të drejtat e tyre. Pastaj, UNESCO do të na mundësojë që të kujdesemi vet për trashëgiminë tonë kulturore, historike e religjioze.

Edhe anëtarësimet tjera që po i kërkojmë, që shumë prej tyre tashmë janë gati, kanë për synim kualitetin e jo kuantitetin. Kjo është një shenjë e pjekurisë së shtetit të Kosovës, që tani kërkon të hyjë në forumet ku vet vlerëson se mund të përfitojë si shtet dhe më nuk ka nevojë të nxitojë të dëshmojë shtetësinë e vet me numra.

Telegrafi: Komisioni Evropian tashmë e ka miratuar, me procedurë të shkurtuar, tekstin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit në mes të Bashkimit Evropian (BE) dhe Kosovës. Cilat do të jenë përfitimet e Kosovës nga miratimi i MSA-së?

Thaçi: Përfitimet nga MSA-ja janë të shumëfishta. E para, MSA-ja vjen si një mirënjohje për reformat që ka arritur të bëjë Kosova në këto pak vite që është e pavarur. MSA-ja është dëshmi e konsolidimit dhe funksionimit të institucioneve demokratike, të sundimit të ligjit dhe të zhvillimit të ekonomisë. E dyta, paraqet ngritjen e marrëdhënieve mes Kosovës dhe BE-së në një nivel tjetër kualitativ, pasi kështu po hyjmë për herë të parë në marrëdhënie kontraktuale me BE-në. E treta, do të krijojë kushte për marrëveshje tjera, në rrafshin e ekonomisë, por edhe të tjera për forcimin e raporteve mes Kosovës dhe BE-së.

Do të theksoja se nënshkrimi i MSA-së është jo vetëm lajm i gëzueshëm për qytetarët e Kosovës, por edhe meritë e tërë qytetarëve të Kosovës pasi shënon sukses të përgjithshëm. Anëtarësimi i një vendi në BE nuk varet vetëm nga puna e Qeverisë, por varet nga e tërë shoqëria, nga gatishmëria dhe përkushtimi i tërë shoqërisë për t’u transformuar, për t’u reformuar dhe për t’u zhvilluar. Pra, gjithmonë matet jo vetëm puna e Qeverisë dhe klasës politike, ndonëse këta janë më përgjegjësit, por edhe performanca e segmenteve tjera të shoqërisë si gjyqësori, biznesi, shoqëria civile, mediat dhe segmente të ngjashme.

Telegrafi: Republika e Kosovës është i vetmi vend, qytetarët e të cilit nuk kanë të drejtë lëvizjeje nëpër vendet e zonës Schengen. Kur pritet që kosovarëve tu kumtohet lajmi i mirë për libaralizimin e vizave?

Thaçi: Ne presim që deri në fund të këtij viti Komisioni Evropian të rekomandojë heqjen e regjimit të vizave për qytetarët e Kosovës dhe pastaj presim që vendet anëtare të miratojë në këtë rekomandim. Është proces që nuk mund të anashkalohet dhe të shpejtohet, por e rëndësishme është që është afër dhe mund t’i gëzohemi të gjithë.

Gjithashtu, pengesë ka qenë edhe vala e përnjëhershme, stihike, e emigrantëve ilegalë nga Kosova për në vendet e BE-së, në fillim të këtij viti. Për fat, kemi arritur që këtë zhvillim negativ ta kthejmë në diçka pozitive për Kosovën, pasi kemi treguar se jemi të aftë të reagojmë menjëherë dhe ta ndalojmë këtë fenomen, si tash ashtu edhe në të ardhmen. Kemi informuar menjëherë qytetarët që të mos bien pre e mashtrimeve, dhe tani të gjithë po e vërejnë se vërtet ka qenë mashtrim. Por, kemi vepruar edhe kundër trafikantëve dhe kontrabanduesve që mashtronin dhe vënin në rrezik jetët e qytetarëve tonë. Është e rëndësishme që kjo dukuri është ndalur dhe ne kemi arritur të kthejmë këtë në moment të dobishëm për ne, duke i treguar BE-së se jemi në gjendje të përballemi dhe të preventojmë ndonjë valë tjetër në të ardhmen.

Telegrafi: Kosova po ballafaqohet me një gjendje të vështirë ekonomike dhe sociale. Niveli i lartë i korrupsionit, mos funksionalitet i sektorit gjyqësor, pakënaqësitë e mësimdhënësve janë evidente. Cilët janë hapat e Qeverisë për përmirësimin e kësaj gjendje?

Thaçi: Është e rëndësishme që gjithnjë gjërat t’i shikojmë në kontekstin e duhur. Kosova ka qenë një vend të cilit i janë marrë pasuritë natyrore që ka pasur, pa e shpërndarë këtë pasuri me qytetarët e saj. Ka qenë vend që është diskriminuar dhe shfrytëzuar. Shtojani kësaj pastaj edhe regjimin e Millosheviqit që vodhi çdo gjë që mund të lëvizej nga ndërmarrjet tona dhe ato që nuk mundi t’i marrë, i shkatërrojë.

Shtojani kësaj edhe shkatërrimin nga lufta dhe përpjekja për gjenocid. Pra, vetëm 15 vite më parë, kemi qenë jo vetëm vendi më i lënë prapa në Evropë, por edhe më i shkatërruar dhe më i traumatizuar. Kemi vetëm tetë vite që kemi shpallur pavarësinë dhe kemi mundësinë që të punojmë për veten tonë, për shtetin tonë, për shoqërinë tonë.

Që nga shpallja e pavarësisë, i tërë globi ka qenë i zhytur në krizën financiare më të rëndë që ka parë bota ndonjëherë. E, përkundër kësaj, ne kemi arritur që të shënojmë rritje të vazhdueshme ekonomike prej gati katër për qind në çdo vit. Kemi vazhduar reformat në gjyqësor e polici, arsim e shëndetësi. Edhe këtu duhet të kujtojmë që është dashur të fillohet nga më bazikja, nga ndërtimi i ndërtesave qoftë për gjykata, qoftë shkolla, qoftë ambulanca e shtëpi shëndeti.

Pra, duhet të shohim se ku ishim e ku kemi arritur dhe të gëzohemi që jemi në rrugë të duhur për të arritur atje ku dëshirojmë të gjithë ne.

Edhe një gjë është e rëndësishme të përmendet këtu: perceptimet e njerëzve për korrupsionin apo mos funksionalitetin e sektorëve të ndryshëm të shoqërisë, si gjyqësori apo shëndetësia apo edhe arsimi. Këto janë perceptime e jo fakte. Kur t’i shikojmë faktet, do të shohim se kemi një perceptim shumë më të zymtë për vendin tonë sesa që është e vërteta. Kosova ka Policinë më profesionale dhe më pak të korruptuar në rajon e më gjerë. Kemi sektor të shëndetësisë që çdo ditë e më shumë është duke e arritur nivelin e mjekësisë në botë. Kemi të rinj që sot janë të gatshëm të garojnë me moshatarët e tyre nga e tërë bota në shkencë dhe arsim, sikur ekipi që garoi me projektin “NATEV” në NASA.

Javën e kaluar në Bruksel u prezantua një hulumtim i thellë i bërë në të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor. Qytetarët e Kosovës, kur janë pyetur se si e vlerësojnë gjendjen ekonomike në vend, ishin shprehur që është e keqe. Por, kur janë pyetur se si e kanë gjendjen ekonomike në familje, më shumë se gjysma ishin përgjigjur se në familje kanë gjendje të mirë ekonomike. Pra, duhet të bëjmë dallimin në mes përshtypjeve që kemi dhe fakteve. Në gjykimin tonë për vendin, duhet të udhëhiqemi nga faktet e jo nga përshtypjet që krijohen nga raportime të njëanshme e jo-profesionale.

Telegrafi: Formimi i Gjykatës Speciale shumë shpejt do të prezantohet para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, ku disa prej tyre, përfshirë edhe ata të koalicionit qeverisës kanë theksuar se do të votojnë kundër kësaj gjykate. Sa jeni të sigurt se kjo gjykatë do të votohet, dhe a keni arritur që t’i bindni deputetet tuaj që të votojnë pro. Cilat janë pasojat nëse dështon votimi i Gjykatës?

Thaçi: Projekti i shtetit të Kosovës është ndër projektet më të suksesshme të botës perëndimore dhe si i tillë ende kundërshtohet nga ata që kërkojnë të jetojnë sipas disa vlerave tjera, që as ne nuk i përqafojmë e nuk i kultivojmë. Si pasojë, shteti i Kosovës ende përballet me kundërshtime nga disa shtete të botës, që kërkojnë të diskreditojnë projektin tonë të përbashkët me perëndimin. Këto fushata kanë provuar të hedhin njolla edhe në luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ka ardhur koha që t’i japim një përgjigje një herë e përgjithmonë këtyre shpifjeve dhe insinuatave.

Gjykata Speciale është mjet i jonë që t’i përgjigjemi të gjithë atyre që shpifin kundër UÇK-së dhe kundër Kosovës, dhe t’u tregojmë të vërtetën. Nëse ne vet nuk e bëjmë këtë, atëherë ju japim të tjerëve të drejtë që vazhdimisht të kontestojnë të drejtën tonë për liri dhe pavarësi. Nëse nuk ju japim përgjigje këtyre akuzave, atëherë do të lejojmë që në forume tjera, aktorë tjerë, të kërkojnë hetim të këtyre shpifjeve dhe të vazhdojnë të na njollosin pa të drejtë me vite e vite të tëra.

Telegrafi: Situata në Maqedoni paraqitet tepër e rëndë, veçanërisht në kampin e shqiptarëve. Madje gjatë së shtunës kanë humbur jetën disa shqiptarë. A keni kërkuar raport nga qeveria Gruevski për ndodhitë e fundit në Maqedoni?

Thaçi: Situata në Maqedoni, sidomos javën e fundit, vërtetë është e rëndë, por Marrëveshja e Ohrit ka vënë kornizën më të mirë për të ndërtuar një Maqedoni në të cilën të gjithë do të jenë të barabartë. Integriteti territorial i Maqedonisë përkrahet nga të gjitha shtetet fqinje të saj dhe është e rëndësishme që në këto rrethana të rënda theksi të vihet tek mundësitë që të ecet përpara në stabilizimin e vendit.

Si Ministri e Jashtme, por edhe si Qeveri e Kosovës, kemi reaguar menjëherë në çdo zhvillim në Republikën e Maqedonisë dhe kemi apeluar për vetëpërmbajtje dhe për zgjidhje paqësore e me rrugë politike të të gjitha kontesteve. Duke qenë të vetëdijshëm se zgjidhjet mund të arrihen vetëm me proceset përgjegjëse politike, që tanimë janë të instaluara në Republikën e Maqedonisë, ne me këmbëngulje dënojmë çdo akt dhune dhe do të vazhdojmë të dënojmë çdo akt të dhunshëm. Ambasada jonë në Maqedoni është duke i përcjell për së afërmi të gjitha zhvillimet dhe me informacione të ndërsjella tashmë po qartësohen paqartësitë eventuale për rastin e fundit, kurse ne si shtet do të vazhdojmë të promovojmë paqen dhe stabilitetin në vend dhe në rajon. /Telegrafi/