Thaçi nuk shkon në MPJ, zgjedh Kryeministrinë

Hashim Thaçi po preferon të qëndrojë larg stafit të tij në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Bashkë me këshilltarët politikë, kryediplomati kosovar vazhdon të qëndrojë në ndërtesën kryesore të qeverisë. 

Lajme

29/12/2014 09:58

Hashim Thaçi asnjë ditë deri më tani nuk ka shkuar në zyrën e tij në Ministrinë e Punëve të Jashtme, aty ku ka qëndruar paraardhësi i tij Enver Hoxhaj, por vazhdon të qëndrojë afër kryeministrit, Isa Mustafa, në ndërtesën kryesore të Qeverisë. 

Thaçi është ministri i parë që qëndron me zyrë larg stafit të tij, duke u arsyetuar se është zëvendëskryeministër i parë, por edhe gjatë mandatit sa ai ka qenë kryeministër, zëvendësi i tij, Hajredin Kuçi, i cili njëherësh ka qenë edhe ministër i Drejtësisë, nuk ka qëndruar me zyrë afër kryeministrit, por në objektin e Ministrisë, te “Rilindja”.

Moszhvendosja e Thaçit në zyrat e MPJ-së, te ish-ndërtesa e UNMIK-ut, është konfirmuar për gazetën “Zëri” nga sekretari i përgjithshëm i Zyrës së Kryeministrit, Fitim Krasniqi. Sipas tij, kjo është një e drejtë që i takon atij, pasi që Thaçi mban edhe pozitën e zëvendëskryeministrit.

“Po është e vërtetë se z.Thaçi po vazhdon të qëndrojë në ndërtesën e Kryeministrisë, në katin e tretë bashkë me stafin e tij politik dhe kjo është një e drejtë e tij, pasi që ai është edhe zëvendëskryeministër. Ka mundësi të zgjedh duke qenë i dyti i Qeverisë dhe kjo ka qenë zgjedhja e tij”, ka thënë Krasniqi përmes telefonit, në prononcimin për gazetën Zëri.

Në anën tjetër, partitë politike opozitare vlerësojnë se moszhvendosja e Thaçit në ndërtesën e Ministrisë së Punëve të Jashtme është treguesi më i mirë, siç thonë ata, se ai vazhdon të jetë shefi i Qeverisë. Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, ka ironizuar me kreun e PDK-së, duke thënë se i pëlqen dy sinqeritet i Thaçit, i cili me këtë akt po tregon se nuk është shef i diplomacisë, por është shefi i Qeverisë, edhe pse nominalisht e udhëheq dikush tjetër ekzekutivin.