Thaçi: Krekosjet e Beogradit nënkuptojnë hapësirë më shumë për terrorizmin

Presidenti i vendit Hashim Thaçi, ka reaguar pas mosanëtarësimit të Kosovës në INTERPOL.

Lajme

20/11/2018 13:15

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pas dështimit të pranimit të Kosovës në INTERPOL, ka thënë se në këtë rast nuk kishte fitues, shkruan lajmi.net.

Përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, presidenti Thaçi ka shkruar se, krekosjet e Beogradit nënkuptojnë hapësirë më shumë për terrorizmin, kriminalitetin, trafiqet e kontrabandës dhe migrimin ilegal.

“Pavarësia dhe sovraniteti i Kosovës janë të pakthyeshme, por këto për vendin dhe shoqërinë tonë nuk janë të mjaftueshme, sepse Kosova ka nevojë ta përfundojë procesin e konsolidimit në botë”, ka shkruar ndër të tjera Thaçi në Facebook, përcjell lajmi.net.

Presidenti i vendit iu bëri thirrje edhe një herë institucioneve shtetërore dhe partive politike parlamentare që të bashkohen në çështjet e interesit shtetëror, sepse sipas Thaçit,  kjo është mënyra e vetme për të siguruar suksese të reja për Kosovën.

Reagimi i plotë i presidentit Thaçi pa ndërhyrje:

Sot, me rastin e votimit për anëtarësim të Kosovës në Interpol, nuk kishte fitues.

Krekosjet e Beogradit nënkuptojnë hapësirë më shumë për terrorizmin, kriminalitetin, trafiqet e kontrabandës dhe migrimin ilegal.

Pavarësia dhe sovraniteti i Kosovës janë të pakthyeshme, por këto për vendin dhe shoqërinë tonë nuk janë të mjaftueshme, sepse Kosova ka nevojë ta përfundojë procesin e konsolidimit në botë.

E kam përcjellë procesin e aplikimit për anëtarësim me shqetësim dhe atë të votimit me dëshpërim të madh. Gjatë gjithë procesit kam pasur rezervat e mia dhe drojën e një epilogu të tillë.

Pozita aktuale e Kosovës në arenën ndërkombëtare pamundëson anëtarësime ku kërkohet votim me 2/3-ta.

Unë edhe një herë ju bëjë ftesë institucioneve shtetërore dhe partive politike parlamentare që të bëhemi bashkë në çështjet e interesit shtetëror, sepse kjo është mënyra e vetme për të siguruar suksese të reja për Kosovën.

Po ashtu, ftoj që të kuptohet realiteti aktual dhe domosdoshmëria e arritjes së marrëveshjes paqësore gjithëpërfshirëse Kosovë-Serbi, që nënkupton njohje reciproke mes dy vendeve dhe anëtarësim të Kosovës në OKB, NATO dhe BE. /Lajmi.net/