Thaçi konfirmon lejen për Dacicin

Ivica Dacic vjen nesër në Kosovë. Vizita e tij nis dhe përfundon brenda oborrit të Manastirit të Graçanicës, nëse ai përfill lejen për vizitë religjioze, për të cilën ka bërë kërkesë. Kryeministri Hashim Thaçi thotë se vizita e Ivica Dacicit do të lejohet.

Lajme

18/10/2013 08:37

(E plotësuar, 10:30)

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, deklaroi në mbledhjen e Qeverisë, se do t’i japë leje Kryeministrit të Serbisë, Ivica Dacic, për të vizituar nesër Kosovën.

Lajmi.net më herët njoftoi për kërkesën e Dacicit për të vizituar Kosovën, e cila ishte sot temë edhe në Qeverinë e Kosovës.

Kryeministri Thaçi tha se Qeveria e Kosovës zyrtarisht ka pranuar kërkesën për vizitë të karakterit religjioz nga Kryeministri i Serbisë, Ivica Dacic, në Manastirin e Graçanicës, për ditën e nesërme.

“Pra, është një kërkesë e Kryeministrit të Serbisë për të vizituar Manastirin e Graçanicës dhe kjo vizitë ka karakter religjioz”.

“Më lejoni të sqaroj për të gjithë qytetarët e Kosovës, se kërkesa e Kryeministrit të Serbisë është me karakter strikt religjioz dhe unë konsideroj që nuk ka asnjë arsye që të mos lejohet një vizitë e tillë”.

“Kosova është shtet modern dhe i pavarur dhe ne ndajmë vlera të përbashkëta civilizuese perëndimore, prandaj duke qenë një populli civilizuar dhe i qytetëruar ne duhet të kemi mirëkuptim për vlerat religjioze dhe humanitare edhe për popujt tjetër”.

Thaçi tha se është i vetëdijshëm se kjo vizitë do të ngjallë debate dhe reagime në Kosovë, të cilat, sipas tij, nga disa do të përdoren edhe për qëllime elektorale.

“Jemi në fushatë elektorale, e dimë se do të ketë menjëherë reagime nga spektri apo individë politik me karakter elektoral. Por, unë i pyes këta kritikë se cila do të duhej të ishte përgjigja e Kosovës që të mos tolerojë vizita në Manastir apo me karakter humanitar, të cilat dalin përtej politikës ditore apo shtetërore?” .

“Ne jemi të vendosur të mos mbetemi peng dhe viktimë e politikave ditore elektorale. Pavarësisht procesit elektoral, ne duhet të marrim vendime për interesin e shtetit të Kosovës, megjithëse çdo herë ka interpretime të ndryshme”.

Dacic nesër në Kosovë, viziton Graçanicën

Kryeministri i Serbisë, Ivica Dacic, të shtunën, do të vizitojë Kosovën.

Vizita e tij është konfirmuar nga burime të besueshme për lajmi.net.

“Në përputhje me pajtueshmërinë e arritur në Bruksel, në takimin e fundit të mbajtur me 8 tetor 2013, mes Kryeministrit të Kosovës dhe atij të Serbisë, për respektimin e lirisë së lëvizjes dhe lejimin e vizitave të zyrtarëve të lartë të Serbisë në Kosovë, Ivica Dacic tashmë edhe zyrtarisht ka proceduar kërkesën e tij të dytë tek autoritetet e Qeverisë së Kosovës për ta vizituar Manastirin e Graçanicës, ditën e shtunë, me datë 19 tetor 2013”, ka konfirmuar për lajmi.net një zyrtar i lartë i Qeverisë së Kosovës.

Lajmi.net mëson se Qeveria e Kosovës tashmë është në proces të shqyrtimit të kësaj kërkese për vizitë dhe gjatë ditës së sotme pritet të lejojë vizitën e Dacicit, e cila thuhet se ka karakter religjioz.

“Kërkesa për vizitë e Kryeministrit të Serbisë, Ivica Dacic është bërë në përputhje të plotë me kriteret dhe procedurat në fuqi dhe ka karakter religjioz. Prandaj si e tillë, më siguri do të merr përgjigje pozitive por me kushtin që të mos keqpërdorët për qëllime politike”, ka pohuar për lajmi.net zyrtari i lartë i Qeverisë së Kosovës.

Një vizitë e tillë ishte paralajmëruar disa javë më parë dhe një kërkesë formale që ishte bërë nga Kryeministri i Serbisë Dacic për të vizituar Kosovën ishte refuzuar nga Qeveria e Kosovës me arsyetimin se nuk përmbushte kriteret dhe procedurat që janë në fuqi.

Dacic kishte kërkuar që të vinte në Kosovë, më 4 tetor, për të marrë pjesë në një tubim elektoral në Shterpcë, të Listës Serbe, e cila ka mbështetjen e Qeverisë së Serbisë.