Thaçi akomodon Kastratin

Kryeministri Hashim Thaçi ka akomoduar ish kryetarin e Komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati, duke e emëruar zëvendësministër të Financave në Qeverinë e Republikës së Kosovës.

Lajme

25/03/2014 15:23

Emërimi është bërë të premten e kaluar, ndërkohë që lajmi.net ka siguruar një faksimile të këtij vendimi.

“Në mbështetje të nenit 94, paragrafit (1) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, dhe në pajtim me nenin 12 të Rregullores 02/2011, për fushat dhe përgjegjësisë administrative të Zyrës së Kryeministrit…, kryeministri i Republikës së Kosovës mori vendim që z.Avni Kastrati të emërohet zëvendësministër i Financave”.

“Vendimi hyn në fuqi ditën e nënshkrimit”, thuhet aty.

Kastrati është ndër figurat kryesore të PDK-së në Mitrovicë, i cili e udhëhoqi këtë komunë për dy mandate rresht.

Në zgjedhjet e fundit lokale, Kastrati u mund në balotazh nga kandidati i Aleancës për Kosovën e Re, Agim Bahtiri, por pak muaj pas kësaj humbje, ai prej të premtes është akomoduar në pozitën e zëvendësministrit.