Terroristët nuk mund të rehabilitohen!

Stephen Schwartz, drejtor ekzekutiv i Qendrës për Pluralizëm Islamik në Washington, DC., e ka quajtur shumë kontradiktor raporton e Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) të emëruar “Shkaqet dhe pasojat e përfshirjes së qytetarëve të Kosovës si luftëtarë të huaj në Siri dhe Irak”.

Lajme

28/04/2015 13:47

Schwartz, siç transmeton lajmi.net, ka thënë se në këtë raport ka të dhëna që mund të shfrytëzohen, porse janë kontradiktore, në njërën anë thuhet se ISIS-i ka depërtuar në Kosovë përmes imamëve radikal nga Maqedonia, e në anën tjetër si arsye përmenden edhe shkaqet socio-ekonomike.

Ai thotë se raporti është kontradiktor ashtu sikurse edhe vullneti i Administratës Obama në këtë fushë, dhe nuk duhet habitur që shumica e shqiptarëve të Kosovës do ta injorojnë, sespe shumica dërmuese e tyre janë kundër ISIS-it.

Schwarc thotë se sipas këtij raporti Kosova është renditur ndër të parat nga 22 vendet e listuara (Perëndimore) për numrin e luftëtarëve të huaj, por e sheh si shumë të metë mos përmendjen e faktit se shumica dërmuese e popullatës është myslimane.

Shpend Kursani nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë
Shpend Kursani nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë

 

Ai po ashtu kritikon rekomandimet që bëhen në raport për të luftuar doktrinën e ISIS-it, duke thënën se për luftëtarët e saj, rehabilitimi, një strategji e përdorur nga Arabi në Britani, është strategji e dështuar.

“Ata që janë përgjegjës për publikimin e këtij raporti, duke përfshirë edhe Ambasadën Amerikane në Kosovë, i kanë bërë dëm të madh popullit, shqiptarë të Kosovës, të cilët janë aleatë të Amerikës”. /lajmi.net/

Lexojeni të plotë komentimin e Stephen Schwartz, të publikuar në “Middle East Forum”

Muajin e kaluar Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) publikoi një raport pyetës për “shkaqet dhe pasojat e përfshirjes së qytetarëve të Kosovës si luftëtarë të huaj në Siri dhe Irak”

Hulumtimi është financuar nga Ambasada Amerikane në Prishtinë, kryeqyteti i Kosovës, por theksohet se mendimet, përfundimet dhe konkludimet apo rekomandimet e shprehura në raport janë ato të autorit (Shpend Kursani, një i diplomuar në Cambridge) dhe Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, e që nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht ato të Departamentit të Shtetit.

Megjithatë, duhet të them se ky është një dokument konfuz dhe me të meta, të cilat do të mund të interpretohen në mënyrë korrekte nga shqiptarët e Kosovës si reflektim i qëndrimeve zyrtare amerikane për sfidën e të ashtuquajturit “Shtet Islamik”, apo ISIS, dhe një mikrokozmos i një dështimi të gjerë perëndimor për të trajtuar në mënyrë të qartë veprimtarinë e ISIS-it dhe të terroristëve të tjerë në rajon.

Raporti 107 faqesh është prishur nga një ortek argumentimesh kontradiktore

Raporti përfshin 107 faqe analiza, statistika dhe diagrame. Një sasi e tillë e të dhënave do të duhej të përfshinte shumë nga ajo që është e dobishme. Por për fat të keq, edhe pse disa probleme të rëndësishme të Islamit në Kosovë janë shpalosur, ka qenë e pamundur të pengohet orteku i argumentimeve shpeshherë kontradiktore.

Një 11-faqe përmbledhje ekzekutive e titulluar “Gjetjet kryesore”, fillon me atë që do të duhej të dukej një “deklaratë alarmante”.

Kosova ka 125 luftëtarë të huaj… për çdo 1 milion banorë, dhe kjo, sipas raportit, e vendosë atë në rangun më të lartë ndër 22 vendet e listuara (Perëndimore), e pasuar nga Bosnja me 85; Belgjika me 42; dhe Shqipëria me 30 raste të luftëtarëve të huaj…, për çdo 1 milion banorë.

Stephen Schwartz nga Qendra për Pluralizëm Islamik në Washington, DC.
Stephen Schwartz nga Qendra për Pluralizëm Islamik në Washington, DC.

 

Por kjo është kontradiktore. Për sa i përket numrit të luftëtarëve të huaj, bazuar në proporcionin e popullsisë së tyre myslimane, Kosova është në gjysmën e poshtme të listës së këtyre vendeve, pra renditet e 14-ta në mesin e 22 vendeve me numrin më të lartë të luftëtarëve të huaj.

Raporti, megjithatë ofron një prezumim të të dhënave të dukshme. Por duke pasur parasysh se vendet përkatëse me më së shumti popullatë myslimane, nga ku ka nxitje mbi baza fetare për t’iu bashkuar konfliktit në Lindjen e Mesme, në krahasim me popullsinë e tyre përkatëse jo-myslimane, është e nevojshme për të parë numrin e luftëtarëve të huaj për frymë të popullsive të tyre përkatëse myslimane. Nga kjo bëhet e qartë se është popullata myslimane e vendeve me shumicë jo-myslimane që janë të prekura kryesisht nga fenomeni i luftëtarëve të huaj.

Mos u habitni!

Kosova, një vend me shumicë myslimane, me një numër relativisht të madh të luftëtarëve të huaj për një vend prej vetëm 1.8 milion njerëz, nuk duhet të jetë një surprizë. Apo? Por raporti nuk thotë qartë se cili nga ky grup enigmatik i numrave që ofron është më i rëndësishëm, edhe pse teksti, pas disa paragrafëve të vërejtjeve të ndërlikuara në këto shifra, pohon se “idetë e dhunshme ekstremiste në Kosovë janë përqafuar nga vetëm një grup i vogël njerëzish në krahasim me madhësinë e përgjithshëm të popullsisë”.

E rëndësishme të theksohet se ashtu sikurse edhe Administrata Obama, raporti kërkon të ndajë radikalizmin nga feja dhe kështu na kthen mbrapa tek ajo që tashmë njihet mirë, justifikim i dobishëm për ekstremizmin mysliman: “kushtet e brendshme shoqërore, në familje dhe në nivel individual”.

Raporti vë në dukje me korrektësi këtë:

“Për qytetarët e Kosovës… shumica dërrmuese (e të cilëve) janë myslimanë, konfliktet në Lindjen e Mesme deri kohët e fundit konsideroheshin si ngjarje të largëta, me asnjë qytetar të Kosovës të raportuar zyrtarisht se ka qenë i angazhuar si luftëtar i huaj në ndonjë nga këto konflikte, të paktën jo në masën e valës së fundit të luftëtarëve të huaj të përfshirë në Siri dhe Irak. Në mënyrë të ngjashme, për qytetarët e Kosovës përhapja e shpejtë e Pranverës Arabe në shumë vende me shumicë myslimane të Lindjes së Mesme dhe vendet e Afrikës Veriore ishte po aq e largët sa edhe ngjarjet e mëparshme në Lindjen e Mesme, duke përfshirë edhe trazirat e fundit në Siri”.

Çfarë shkoi keq?

Raporti shpenzon shumë hapësirë ​​riprodhuese me historinë e lëvizjes vehabiste me origjinë nga Arabia dhe të Vëllazërisë Myslimane të themeluar në Egjipt, dhe zbulon disa kapituj misterioz, por të rëndësishëm në historinë e Islamit në Kosovë. Pas vitit 2005, ideologjia e Al Qaedas gjurmohet përmes grupit egjiptian Tekfir wa’al Hixhra, i quajtur “Takfiris”, që në raport thuhet se janë infiltruar në Kosovë nga republika fqinje e Maqedonisë. Ky vend, Maqedonia, ka një shumicë sllave, të krishterë ortodoks, që e dominon atë politikisht, dhe një pakicë e madhe, e nëpërkëmbur dhe shtypur, shqiptarë myslimanë dhe komunitetin katolikë.

Në Maqedoni, një grup i klerikëve islamikë që udhëtuan dhe studiuan në Egjipt dhe vende të tjera të Lindjes së Mesme ishin të ndarë mbi atë nëse myslimanët (shqiptarët myslimanë) duhej të merrnin pjesë në zgjedhjet lokale. Shukri Aliu, një imam Kosova, që u vendos në Shkup, kryeqytetin maqedonas, ishte kundër votimit në zgjedhjet nacionale si “mosbesuese” e të “pavlefshme”, qysh prej vitit 2003. Nga 1990 e tutje, Aliu, i cili ka studiuar në Siri, është dëbuar nga Arabia Saudite si tepër fanatik, arritje e shquar në vetvete, dhe kishte qëndruar për disa kohë në mesin e egjiptianëve Takfiri dhe predikoi në Maqedoni para se të largohej për në Kosovë. Ai jetoi në Kosovë deri në vitin 2012 kur ai u ekstradua në Maqedoni.

Imami Rexhep Memishi ende mbron ideologjine e ISIS-it
Imami Rexhep Memishi ende mbron ideologjine e ISIS-it

 

Ndjekësit e Aliut u bënë më të tërbuarit, dhe një nga mbështetësit e tij më të besueshëm, Imami Rexhep Memishi, ende mbron ideologjinë terroriste dhe nxit rekrutimin në ISIS nga xhamia e kohës osmane, nga Xhamia Jahja Pashës në Shkup, sipas raportit. Memishi po ashtu ishte dëbuar nga Arabia Saudite për fanatizmin e tepruar të tij. Aliu dhe Memishi krijuan një rrjet islamik në Kosovë, përmes një grupi të imamëve në rajonin kufitar të Kosovës me Maqedoninë. Efekte të ngjashme janë vërejtur, siç vë në dukje ky raport, edhe në Shqipëri, Bosnje-Hercegovinë, Mal të Zi dhe Serbi.

Raporti thekson shpjegime “sociologjike” përse kosovarët kanë lënë shtëpitë e tyre për t’u bashkuar ISIS

Këto pjesë të raportit duhet të bëjnë të qartë se ideologjia e ISIS-it është eksportuar në Kosovë nga jashtë kufijve të saj. Dhe në të vërtetë, raporti ia atribuon këtij faktori depërtimin e ISIS-it në Kosovë. Pse, atëherë, raporti bie në kundërshtim me shpjegimet e brendshme “sociologjike”, përse kosovarët kanë lënë shtëpitë e tyre për të luftuar në ISIS? Shumë myslimanë të Kosovës iu përkushtuan fesë së tyre pas luftës 1998-99, por të varfrit, myslimanët ruralë pranuan ndihmat nga Lindja e Mesme, ndërsa thithen edhe mesazhet radikale. Përveç kësaj, raporti pohon se shqiptarët e Kosovës nuk kanë ndjenjë origjinaliteti, që ata gjejnë në separatizmin fetar.

Më e keqja, thuhet kosovarët e rinj janë të paarsimuara, gëzojnë pak mundësi, dhe jetojnë pa ndonjë synim e qëllim për të jetuar, pa ndonjë aspiratë. Raporti citon një apolog amerikan famëkeq, Natana DeLong-Bas, nga studimi i tij për vahabizmin, aktualisht profesor në Boston College: “Grupet politike islamike bëhen më të besueshme se elitat qeverisëse zyrtare”, për shkak se, siç pohon DeLong-Bas “ata tregohen më të afërt me shqetësimet e popullit dhe nevojat e tyre”. Dokumenti përdor Delong-Bas gjerësisht për të përmirësuar imazhin brutale të vehabizmit.

Shmebulli më i keq i raportit

Por shembulli më i keq dhe absurd i këtij raporti qëndron në rekomandimet e tij për veprim kundër depërtimit të ISIS-it në Kosovë.  Megjithëse studimi është financuar nga Ambasada Amerikane, në raport ceket shkarazi ndërhyrja amerikane që shpëtoi Kosovën në 1998-1999, dhe se fitorja ndaj agresionit serb u mundësua nga vullneti i mirë ndaj Perëndimit dhe mohimit të Islamit radikal nga shqiptarët e Kosovës. Këto burime që do të mund të shfrytëzoheshin për të kundërshtuar infiltrimin e ISIS-it dhe grupet tjera radikale islamike, nuk u morën në konsiderim.

Në mënyrë të ngjashme, raporti asnjëherë nuk aludon në praninë e një tradite të qëndrueshme kombëtare të respektimit të besimeve të tjera, si dhe shpirtërore të Sufizmit Islam, e cila është më e fortë në mesin e myslimanëve shqiptarë se kudo tjetër në Evropë, dhe ofron një bazë të mirë, thelbësore, për kundërvënien e radikalizmit fetar.

Raporti u kërkon autoriteteve kosovare për të “ndërmarrë veprime që do të shmangin sa më shumë të jetë e mundur kufizimin e agjencive të sigurisë nga përdorimi i forcës”

Në vend të kësaj, raporti insiston në qasje të “butë”, si përgjigje. Sipas këtij raporti, arrestimet, burgjet, ose dërgimi i njerëzve në gjykatë, duhet të shmanget sa më shumë që të jetë e mundur. Ky propozim i diskutueshëm është mbështetur në vërejtjet që adresoi Barack Obama në “Samitin në Shtëpinë e Bardhë kundër ekstremizmit të dhunshëm” (CVE) që u mbajt në muajin shkurt. Raporti thekson se agjencitë e sigurisë së Shtetit të Kosovës duhet të kenë qasje më të drejtuar ndaj ekstremistëve të dhunshëm, dhe të marrin masa sa më shumë që të jetë e mundur në kufizimin e agjencive të sigurisë nga përdorimi i forcës (p.sh. arrestimet, ndjekjet penale, etj .).  Raporti nga Kosova paralajmëron (ashtu sikurse koordinatori kundër terrorizmit i  Bashkimi Europian, Gilles de Kerchove, duke folur në CVE),  se burgjet janë inkubatorët kryesorë të radikalizimit. Por në qoftë se një mysliman ka shkuar në Siri për të luftuar për ISIS-in, sa do të rritet niveli i fanatizmit tij. A është parandalimi i kriminalitetit diçka që duhet merret si një mit?

Raporti thekson se klerikët myslimanë të moderuar duhet të angazhohen që xhihadistët e kthyer të socializohen në shoqërinë dhe të zbutet qëndrimi (radikalizmi) i tyre refuzues. Studimi i QKSS përqendrohet më shumë në mundësitë e “risocializimit dhe riintegrimit” të xhihadistëve, se sa në hetimin dhe ndëshkimin për mizoritë që ata mund të kenë të kryera në emër të ISIS-it. Duke u bazuar në raport, puna e programit të rehabilitimit duhet të ndahet nga puna e shërbimeve të sigurisë dhe hetuesve të policisë.

Kjo strategji ka dështuar kudo dhe është aplikuar nga Arabia Saudite në Britani. Terroristët nuk mund të rehabilitohen, nuk funksionon. Ajo që bën punë është mposhtja e tyre dhe izolimi i tyre.

Ata që janë përgjegjës për publikimin e këtij raporti, duke përfshirë edhe Ambasadën Amerikane në Kosovë, i kanë bërë dëm të madh popullit, shqiptarë të Kosovës, të cilët janë aleatë të Amerikës. Por ata kanë përfituar nga Departamenti i Shtetit, duke lëshuar një tekst ndoshta pa qëllim, si shembull i mungesë së përgjithshme të vullnetit të administratës Obama në këtë fushë. Por mos u habitni në qoftë se ky raport injorohet, pasi shumica dërmuese e shqiptarëve të Kosovës e kundërshtojnë ISIS-in.

(Stephen Schwartz, është drejtor ekzekutiv i Qendrës për Pluralizëm Islamik në Washington, DC. Ky shkrim është marrë nga Forumi Lindja e Mesme)