Tensione në mes të Greqisë dhe Serbisë, shkaktar Kosova

Duket se vizita e ministrit të Jashtëm grek në Prishtinë dhe deklaratat që ka bërë në konferencën për shtyp me shefin e diplomacisë kosovare, Hashim Thaçin, po vazhdojnë të krijojnë tensione të vazhdueshme në mes Beogradit dhe Athinës.

Lajme

21/07/2015 10:37

Edhe analisti Dusan Janjic deklaron se Greqia do ta njeh Kosovën për t’ia kthyer borxhin Amerikës.

Shtypi serb ende shkruan për deklaratat e kryediplomatit grek Nikolas Kotzias, i cili nuk hezitoi të tregonte miqësi ndaj Kosovës duke premtuar edhe votën greke për anëtarësinë e Kosovës si shtet në UNESCO dhe Interpol.

Vendimin e Greqisë, Kotzias e shpalosi në një konferencë për shtyp që e mbajti gjatë vizitës në Prishtinë së bashku me homologun kosovarë, ministrin e jashtëm Hashim Thaçin.

Deklaratat e ministrit Kotzias u publikuan edhe në faqen zyrtare të Ministrisë së Jashtme të Greqisë, ndërsa ministri i jashtëm serb Ivica Dacic ishte i pari që reagoi duke i dërguar notë proteste Greqisë. Deri më tani nuk dihet nëse Greqia i është përgjigjur Beogradit zyrtar.

E përditshmja “Blic”, gazeta më e madhe serbe që rëndom transmeton linjën e qeverisë, tash e disa ditë ka nisur një fushatë të vërtetë kundër kryeministrit grek Cipras.

Fillimisht “Blic” javën e kaluar botoi një artikull në ballinë me titull “Cipras, tradhtove për Kosovën!”, duke akuzuar kryeministrin grek që qëndron prapa deklaratave të diplomacisë greke.

Edhe pse ambasada greke në Beograd ka deklaruar se “qëndrimi i Greqisë mbetet i pandryshueshëm dhe nuk e njeh Kosovën”, “Blic” ka vazhduar këtë vikend edhe me një shkrim tjetër të titulluar “Dashuria e re në mes të Greqisë dhe Kosovës – Cipras kthen borxhin Amerikës në dëm të Serbisë”.

“Blic” raporton se “përkrahja që i ka dhënë Uashingtoni kryeministrit Aleksis Cipras në konfliktin që ka pasur me kancelaren Merkel ka ardhur me faturë të menjëhershme, në formë të kërkesës për njohje të Kosovës”.

Gazeta beogradase që ka shitjen më të madhe e citon edhe ekspertin serb Dusan Janjic duke thënë se “porosia e qeverisë greke që do ta përkrah anëtarësinë e Kosovës në organizata ndërkombëtare nuk është për tu habitur.

Athina me vite të tëra po bën pazar me Kosovën. Ata tërë kohën bëjnë negociata me Amerikën prej të cilës presin ndihmë rreth emrit të Maqedonisë. ”Tani pasi që SHBA ka ndihmuar Greqinë në konfliktin e borxheve me Gjermaninë, Greqia do ta njeh Kosovën me shpejtësi edhe më të madhe”, deklaroi analisti Dusan Janjic.

Edhe analisti Branko Radun mendon se Greqia tashmë ka bërë një “marrëveshje me Amerikën”, duke thënë se Serbia s’ka se si të pres nga Cipras, i cili është sekular dhe nuk beson në lidhjen ortodokse dhe vëllazërinë me serbët. /Telegrafi