Të rinjtë ia mësyjnë Panairit të punës në Prishtinë

Interesimi i madh i të rinjve për të vizituar Panairin e punës 2014, edicioni i 11-të, i cili është hapur të martën në Prishtinë, është tregues i shkallës së lartë të papunësisë në Kosovë dhe mundësive të pakta për të arritur deri te një vend pune.

Lajme

22/04/2014 19:53

Në panairin e hapur sot po marrin pjesë shumë kompani të ndryshme nga sektori bankar, sektori i prodhimit, sektori i auditimit e financave, të cilat ofrojnë vende të reja të punës për studentët.

Përveç pozitave të hapura për studentët dhe punëkërkuesit e tjerë, gjatë panairit të punës mbahen edhe punëtori, ku të rinjtë informohen për mënyrat e aplikimit për një vend pune dhe si të arrihet deri te punësimi.

Anita Ahmeti, nga Oda ekonomike Amerikane në Kosovë, tregon për Radion Evropa e Lirë se interesimi i të rinjve është shumë i madh.

Ajo thotë se nuk kanë numër të saktë të të rinjve të cilët mund të kenë arritur të punësohen përmes këtij panairi, që organizohet çdo vit, por konsideron se ky panair është një mundësi e mirë për t\’u punësuar.

Papunësia është një nga problemet më të mëdha që ka përcjellë shoqërinë kosovare në 15 vjetët e fundit. Të dhënat zyrtare tregojnë se numri i punëkërkuesve, të cilët janë të regjistruar në zyrat e punësimit, është rreth 350 mijë, ndërsa të punësuar llogariten të jenë mbi 400 mijë qytetarë.

Sipas Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, shkalla e papunësisë në Kosovë është 39 – 41 për qind.