Të mos politizohet Buxheti

Kryetari i Odës Ekonomike, Safet Gërxhaliu, thotë se partitë politike s'duhet ta politizojnë çështjen e Buxhetit. Ai kërkon që ato të zhvillojnë debat konstruktiv dhe të japin rekomandimet e tyre që ky Buxhet të jetë garanci e ardhmërisë në aspektin ekonomik.

Lajme

18/11/2013 18:16

Kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, kërkon që çështje si ajo e Buxhetit të Kosovës të mos politizohen, por të shikohen nga aspekti substancial.

Gërxhaliu thotë se kur bëhet fjalë për Buxhetin e Kosovës, pozita dhe opozita duhet të bëjnë çmos që ai të jetë në funksion të zhvillimit, të qëndrueshmërisë, të një perspektive ekonomike, e jo të jetë vetëm një buxhet shpenzues.

Në një intervistë për lajmi.net, kreu i Odes Ekonomike të Kosovës jep edhe një rekomadim sa i përket çështjes së Buxhetit.

“Nuk duhet të dilet me shifra konkrete se sa do të jetë rritja e pagave, çfarë do të jetë rritja ekonomike”.

“Këto janë çështje të cilat duhet të kalojnë nëpër sfida të shumta”.

“Por, parimisht, është koha kur duhet procesi të mos politizohet, të ketë gjuhë argumentuese, dhe kur të argumentojmë në mënyrë shkencore, atëherë Buxheti të miratohet”.

“Kosova ka nevojë për një Buxhet i cili vërtet do të ketë efekte pozitive dhe njëherë e përgjithmonë të bëjë një kthesë në aspektin zhvillimor. Jo të jenë gjithmonë buxhete të orientuara që të investohen indikatorët dhe vetëm në konsum”.

E keqja, sipas Gërxhaliut, është se ka kohë që çështjet e kësaj rëndësie nuk debatohen, por politizohen.

“Ka kohë që në Kosovë debati nuk ekziston. Në disa raste është politizuar dhe ka kahje dhe qasje që shumë më tepër mbron interesat politike ose të grupeve të caktuara”.

“Kosova ka nevojë për  substancë  e jo për formë. Kosova ka nevojë për qëndrushmëri ekonomike dhe jo për politizim. Dhe në fund të fundit, kjo formë e politizimit dhe mungesës së ekspertizës shkencore rreth debatit konstruktiv, shumë më tepër është duke i kushtuar shoqërisë dhe qytetarëve të Kosovës sesa atyre që mirren me këtë drejtim”.

Humbja më e madhe në shoqërinë kosovare është se një gjë ende pa dalë në diskutim, kalkulohet sesa ka vota dhe kush ka vota më tepër. E tëra kjo vërtetë e dëmton imazhin e Kosovës. E tëra kjo e politizon edhe më tepër skenën politike dhe e tëra kjo edhe më tepër e dëmton në aspektin ekonomik”.

“Në vend që të gjithë të jepin rekomandimet e veta që vërtet Buxheti të jetë garancë e ardhmërisë në aspektin ekonomik, shumë më tepër humbet kohë në atë se cila do të jetë mundësia e dështimit dhe jo e avancimit”.

“Vetë fakti që ende pa dalur ky buxhet, llogaritet në atë se sa janë votat pro dhe kundër, kush ka vota më tepër e kush do ta fitojë këtë betejë, duhet të kuptohet që në këtë betejë dhe në këtë formë nuk ka fitues. Humbës është vetëm Kosova dhe humbësi do të jetë Kosova në të ardhmen”, thotë Safet Gërxhaliu për lajmi.net.