Të mos harrohen egërsirat e luftës

“Ma mirë t’isha edhe unë i dekun”, ankohet Bilall Bilalli, një nga të paktët që i pati mbijetuar 16 vjet më parë masakrës së Reçakut. “Tash na kanë vra për s’gjalli”.

Lajme

18/01/2015 08:16

Plaku rreth të 70-ave, në 15 janarin e 1999-s ishte pjesë e grupit prej dhjetëra civilësh që ishin strehuar në shtëpinë e Sadik Osmanit, pas një sulmi të forcave serbe, shkruan Koha Ditore.

Kur policia dhe ushtria e regjimit të Sllobodan Millosheviqit i kishin gjetur, i kishin nxjerrë jashtë në oborr, i kishin dërrmuar dajak, i kishin urdhëruar që në rresht të ngjiteshin shpatit në drejtim të malit, te një vend që quhet “Gropa e Bebushit”, ku edhe kishin shtënë rafalë mbi ta.

Numri i burrave të ekzekutuar aty ishte 24. Bilallin nuk e kishin kapur plumbat. E, katër të tjerë kishin mbërritur të iknin, tek zhvillohej drama.

Të njëjtën ditë, në pjesë të tjera të fshatit ishin vrarë edhe shumë gra e fëmijë. Ishin gjetur të sakatuar. Një ishte gjetur pa kokë. Një grua nuk është gjetur ende.

E marta e kësaj jave ishte një ditë e acartë. Bilalli kishte dalë në qendër të fshatit dhe po i çante dertet me një bashkëmoshatar dhe me disa fqinjë të tjerë të tij më të rinj në moshë. Ankohej se e kaluara po harrohej. Ankohej se pushteti nuk dëshmoi pikë kujdesi as për të rënët e as për ata që mbetën gjallë. Ankohej edhe për zërat e zyrtarëve qeveritarë që po i quajnë “egërsira” familjarët e të zhdukurve dhe të vrarëve në luftën e fundit. (Koha Ditore)