Të konsumohet buka e Kosovës, të ndalet importi i grurit

Prodhuesit e grurit në vend kërkojnë mbështetje më të madhe nga Qeveria e Kosovës për stimulimin e tyre.

Lajme

15/06/2016 17:00

Ata kërkojnë që gjatë periudhës së korrje-shirjeve të ndalet importi i kësaj kulture bujqësore dhe miellit në mënyrë që të ketë treg për prodhimin vendor, meqë prodhimi vendor arrin t’i mbulojë 70 përqind të nevojave të tregut kosovar.

Kështu u tha në konferencën “Fushata e korrje-shirjeve për vitin 2016 dhe politikat mbështetëse për ketë sektor në vendet e rajonit” e organizuar nga Shoqata e Bujqve Prodhues të Grurit të Kosovës dhe Oda Ekonomike e Kosovës.

Në këtë konferencë gjithashtu u bë e ditur se ndër sfidat e prodhuesve të grurit mbetet mekanizmat e vjetra të korrjeve dhe mungesa e pikave grumbulluese .

Kryetari i Shoqatës së Bujqve Prodhues të Grurit të Kosovës, Pal Gjuraj, duke përmendur mbështetjen e Qeverive të rajonit për prodhuesit e grurit, kërkoi mbështetje më të madhe për subvencione në aspektin profesional dhe furnizimin me impute.

“Këtij sektori i duhet një përkrahje nga Qeveria, përkrahje më e madhe si në aspektin subvencionit po ashtu edhe në aspektin tjetër profesional dhe furnizimit me plehra, fara, empicide dhe mjete të tjera mbrojtëse të cilat e kushtëzojnë rendimentin dhe cilësinë e grurit. Në Kosovë nuk prodhohen këto elemente dhe ne jemi të detyruar t’i importojmë dhe vetvetiu importimi i këtyre imputeve bujqësore që e nxitë prodhimin e grurit shkaktojnë kosto të lartë dhe e pamundëson baraspeshën e prodhuesve tanë me prodhuesit e tjerë të rajonit sepse shtete e tjera japin subvencione më të mëdha në sasi dhe subvencionojnë edhe në kushte tjera si derivate të naftës, plehra, këshilla e të tjera”, tha Gjuraj.

Ndërsa, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gerxhaliu adresoi disa rekomandime për Qeverinë që të mbështesë fermerët që merren me prodhimin e grurit.

oda-ekonomike-150616 (1)

 

“Duhet të dëshmojmë se kur flasim për prodhimin vendor nuk flasim, por duhet të bëjmë më tepër. Besoj që nëse eksiton një gatishmëri që të mbështete prodhimi vendor të një produkti strategjik është ky momenti që të zbatohen këto rekomandime, qoftë përmes me një periudhë kohore 60 ditore për ta ndalur importin, përmes banderolave, të cilat kishin me pas efekt multiplikativ edhe kontrollë të kualitetit, në shëndet të qytetarëve, por mbi të gjitha luftë direket in formalitetit dhe ekonomisë së kriminalizuar”, tha Gërxhaliu.

Kreu i kësaj shoqate, duke folur për rendimentet e sivjetme të kësaj kulture bujqësore tha se në bazë të kushteve klimatike të deri tashme pritet rendimente të larta dhe cilësore.

“Falë Zotit me klimën që ma mbretëruar që nga mbjellja e deri më tani, e sidomos ky shiu i fundit, priten rendimente me të larta dhe cilësi në nivel më të lartë. Drejtoritë e bujqësisë nëpër komuna së bashku me Ministrin e Bujqësisë duhet sa më shpejtë të formojnë komisionin për mbikëqyrjen e korrje-shirjeve sepse mekanizmi që bënë korrjen – autokombajnat që janë në terren, një sasi të konsiderueshme e gjuajnë në tokë për shkaka se nuk janë funksionale dhe teknikisht në rregull”, tha ai.

Ndërkaq, sipas statistikave të Ministrisë së Bujqësisë, në Kosovë çdo vit prodhohen rreth 300 mijë tonë grurë./Kp