Të helmuar nga plehrat! Dy dekada që hidhen e digjen në fushë

Një ndër prioritetet e Komisionit Europian është dhe reduktimi i sëmundjeve që lidhen me faktorët mjedisorë. Por ç’ ndodh në Durrës në qytetin e dytë që prodhon çdo vit 70 mijë tonë mbetje urbane?

Lajme

24/04/2018 16:16

Këto mbetje depozitohen çdo ditë në një fushë jashtë çdo standardi, dekompozohen dhe digjen në natyrë pranë qendrave të banuara dhe kampusit universitar. Shpesh në këto zona kullosin dhe bagëtitë e kafshët që përfundojnë në tryezat tona.

Krejtësisht i parrethuar dhe pasistemuar, vendgrumbullimi i Porto Romanos në Durrës, prej 2 dekadash është kthyer edhe në një front pune për të papunët e zonës, që u vënë zjarrin mbetjeve, përfshirë goma dhe plastikë, për të siguruar tela dhe skrap metalik.

Jo vetëm zona e banuar përreth, kampusi universitar, por edhe i gjithë qyteti është i ekspozuar dhe po helmohet nga gazrat toksikë që çlirohen nga dekompozimi dhe djegia, kryesisht pasditeve dhe në mbrëmje.

Studentë e pedagogë të universitetit “Aleksandër Moisiu”, gjithashtu kanë protestuar ndër vite ndaj këtij krimi ekologjik duke kërkuar ndërhyrjen e bashkisë për ndalimin e menjëhershëm të djegies dhe sistemimin e vendgrumbullimit.

Pavarësisht kësaj, asgjë nuk ka ndryshuar. Situata mbetet e njëjtë, ndonëse duhet të shërbejë si këmbanë alarmi për të gjithë, duke nisur nga Këshilli Bashkiak e deputetët.

Të zgjedhurit e qytetarëve duhet të kërkojnë zgjidhjen nga Bashkia e Qeveria të këtij problemi kaq të madh për qytetin, që në heshtje vret përmes ndotjes masive që shkakton./Top Channel