Të avancohet Ligji për Investime që Kosova të bëhet shtet i artë

Një delegacion i grupit punues për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Investime të Huaja nga Komisioni Parlamentar për Zhvillim Ekonomik, Tregti e Industri, i udhëhequr nga Besim Beqaj, kanë vizituar sot Aleancën Kosovare të Bizneseve (AKB).

Lajme

09/03/2015 18:42

Agim Shahini, kryetar i AKB-së, tha se kanë identifikuar problemet që kanë jo vetëm bizneset vendëse, por edhe investitorët e huaj. Sipas tij, bërja e biznesit në Kosovë është në gjendje jo të mirë dhe kjo gjendje për fat të keq po e përcjell biznesin qe një kohe të gjatë.

Sipas Shahinit, shqetëson fakti që trendi negativ i mbylljes së bizneseve ka vazhduar nga viti 2010 e këndej. Kurse ky trend ishte prezent më shumë tek investitorët e huaj dhe si rezultat i politikave të shtrenjta për investime.

Në vitin 2014 janë shuar 39.4% e bizneseve të regjistruara në Kosovë.

Kryetari i AKB-së tregoi arsyet e mbylljes së kompanive: si politikat e këqija fiskale, mungesa e subvencioneve, normat e larta të interesit bankar, konkurrenca jo e drejtë, korrupsioni dhe burokracia, energjia e shtrenjtë, politikat selektive, humbja e fuqisë në treg, monopolet, licencat e lejet e punës e të tjera, të cilat duhet të ndryshohen.

“Përkundër asaj, ndoshta këtë vit pritet të ketë përmirësime, pasi që Qeveria e Kosovës ka marrë hapa që ashtu siç e kemi ne slloganin “Kosova shtet i artë për investime” të veprojë konkretisht”, tha Agim Shahini.

Besim Beqaj tha se janë këtu për të dëgjuar shqetësimet me të cilat përballen bizneset.

“Duhet të bëjmë ligje të cilat i përshtaten pozitivisht ekonomisë dhe zhvillimit të saj. Ne kuptuam për shqetësimet e prodhuesve dhe ikjen e investitorëve dhe këto probleme duhet të merren parasysh”, tha ai.

Ai premtoi se nuk do të merren vetëm me fjalë, por do të bëjnë veprime konkrete dhe do të kërkojnë që asnjë ligj të mos aprovohet pa lejen e komunitetit të biznesit.

Edhe Pal Lekaj tha se shqetësuese është ikja e investitorëve nga Kosova.

Sipas Blerim Graincës, ka mjaft ligje të mira, por pengesë mbetet mos zbatimi i tyre në praktikë.

Hysni Zogaj, nga MIM Goleshi, foli për problemin e mbylljes së kompanisë së tij, ku tha se ka shitur pasurinë në Kroaci për të investuar në vendlindje, kurse tash ka hyrë borxhe.

“Nuk po di nga të shkoj sepse asnjë moment nuk kisha punuar në Kosovë, ku tash e një kohë të gjatë përballem me probleme të natyrave të ndryshme”, tha Zogaj.

Sylejman Konushevci, nga fabrika e vajit, tregoi se ka ikur nga Kosova drejt Bullgarisë. Sipas tij më mirë me i mbrojt investimet vendëse sesa ato të huaja. (KosovaPress)