Tahiri: S’kemi pse t’i frikësohemi më Serbisë

Ministrja e Dialogut, Edita Tahiri tha se përfaqësuesit e Serbisë gjatë bisedimeve në Bruksel kanë hapur çështjen e territorit.

Lajme

08/01/2015 21:38

(E plotësuar)

Ministrja Edita Tahiri tha se Kosova nuk ka pse t’i frikësohet më Serbisë sepse, sipas saj, ai është një shtet i “vockël dhe i dobët”.

Sipas saj, problemi më i madh i shtetit serb është politika e jashtme.

“Nuk kemi çka t’i frikësohemi Serbisë, ajo është një shtet i vockël me ekonomi të dobët.

Problemi i Serbisë është në politikën e jashtme, sepse Serbia ka mëdyshje pasi që ka mbetur mes Moskës dhe Brukselit. Jam e bindur, me gjithë kapacitetet që kemi ne do të mund t’i mbërrijmë qëllimet tona me dialogun e Brukselit”.

Duke folur për vështirësitë e zbatimit të Marrëveshjes së Brukselit, Tahiri tha se problemi kryesor është zhbërja e Mbrojtjes Civile dhe më pas krijimi i Asociacionit, gjë për të cilën garanton se nuk do të ketë kompetenca ekzekutive.

“Duhet të zbatohet drejtësia, pastaj vijmë te shuarja e plotë e Mbrojtjes Civile dhe më pas do të dalim tek Asociacioni dhe në marrëveshje thuhet qartë se ai do të krijohet në bazë të ligjeve të Kosovës dhe Ligjit për vetëqeverisje lokale”.

“Ju garantoj se Asociacioni nuk do të ketë kompetenca ekzekutive. Mund të jenë iluzione të x personave, por nuk do të ketë kompetenca ekzekutive”.

 “Ky do të jetë proces, pra duke shtrirë sovranitetin ne do të ndihmojmë edhe në integrimin e serbëve”.

Ministrja Tahiri thotë se dialogu në Bruksel ka filluar ta “nxjerrë Serbinë nga veriu i Kosovës” dhe ajo mendon se një model i tillë i dialogut mund të jetë model edhe për Bosnjën.

“Ne kemi biseduar për ta nxjerrë Serbinë nga pjesa veriore, pra të respektohen parimet evropiane, fqinjësia e mirë dhe dialogu i Brukselit mund të shërbejë për paqe, madje mund të shërbejë edhe për shtetin e Bosnjës”, tha Tahiri, transmeton lajmi.net.

 

________________________________________________________

Në emisionin Zona e Debatit, në Klan Kosova, Tahiri tha se ajo menjëherë u ka përmendur përfaqësuesve serbë se shqiptarët kanë pasur toka deri në Nish, dhe pas kësaj çështja e territorit më nuk është hapur.

“Ka pasur tendenca nga Serbia që të shtrohet çështja e territorit në Bruksel. Unë ju kam thënë që nëse doni të hapni temën e tokave, ne duhet të fillojmë nga Nishi, sepse tokat tona kanë qenë deri në Nish. Prej atëherë nuk e kanë hapur më këtë temë”.

Tahiri thotë se në pjesën veriore të Kosovës ka filluar një “kapitull i ri” i funksionimit të rendit dhe ligjit, por pranon se atje ende ka pengesa, siç është edhe ushtrimi i veprimtarisë nga katër kryetarët ilegalë në komunat veriore.

“Ende vazhdojmë që kryetarët ilegalë të katër komunave të ushtrojnë veprimarinë e tyre dhe të pengojnë funksionimin e tyre. Ne gjithsesi për këtë e kemi njoftuar Brukselin dhe kemi kërkuar nga BE-ja që ta detyrojnë Serbinë që të zbatojë Marrëveshjen e Brukselit”.

“Unë them se ka filluar një kapitull i ri i funksionimit të rendit dhe ligjit në këtë pjesë. Thash që ka filluar dhe nuk ka mbaruar. Mbetet akoma punë në integrimin e serbëve”.

Ministrja Tahiri tha se njohja e pavarësisë së Kosovës është kusht për Serbinë për anëtarësimin e saj në BE.

“Shtrirja e sovranitetit në veri është proces transformimi, sikundër që edhe normalizimi i marrëdhënieve pritet të përfundojë me njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia. Kjo ende nuk është thënë hapur nga diplomacia, por normalizimi është i barasvlefshëm me njohjen e pavarësisë së Kosovës”.

“Kapitulli 35 si kusht për Serbinë përmban edhe kushtin e njohjes së Kosovës”, tha Tahiri për Klan Kosova, transmeton lajmi.net.