Tahiri: Ndryshimi i ligjit për Prokurorin e Shtetit, ndihmon në ndjekjen e atyre që kanë kryer krime lufte

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka bërë të ditur se plotësimi dhe ndryshimi i ligjit për Prokurorin e Shtetit do të ndihmojë efikasitetin e ndjekjes së atyre që kanë krime lufte.

Lajme

26/03/2018 15:48

Këtë gjë e veri të ditur përmes një postimi në rrjetin social Facebook, pasi ishte panelist në tryezën e organizuar nga Fondi për të Drejtën Humanitare (FDH) të titulluar “Gjykimet për krimet e luftës – çka më tutje?”

“Drejtësia e munguar ndaj viktimave të luftës duhet të gjejë rrugën e vet dhe të vë para përgjegjësisë çdo individ pa dallim që ka bërë krime lufte dhe ka abuzuar me të drejtat e njeriut. Sot, pata rastin të flas në tryezën mbi raportin e Fondit për të Drejtën Humanitare, raport që shqyrton raste specifike të gjykimeve për krime lufte, duke përfshirë edhe statusin aktual të këtyre gjykimeve. Ndryshimet ligjore që kemi prezantuar dhe jemi në proces e sipër të miratimit, përkatësisht, në ligjin për Prokurorin e Shtetit, do mundësojnë rritjen e numrit të prokurorëve në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, në mënyrë që ndjekja e atyre që kanë bërë krime lufte të bëhet me efikasitet më të madh.” ka shkruar Tahiri .

Për më shumë, ministri Tahiri ka bërë të ditur se do të mundësoj një databazë gjithëpërfshirëse, e që do të jetë përgjegjësi e Institutit për Hulumtimin e Kirmeve të Luftës, që do të krijohet nga Departamenti për Drejtësi Tranzicionale që deri më tani ishte pjesë e Ministrisë së Drejtësisë.

“Gjithashtu, jemi duke themeluar departamentin për Drejtësi Tranzicionale, i cila do të ndërtojë një databazë me të dhëna për krime lufte; do të prezantojë një koncept më të gjerë të mbështetjes për viktimat e luftës; si dhe do të shërbejë si adresë e besueshme për të gjitha viktimat e abuzimit me të drejtat e njeriut gjatë luftës. Institucionet tona nuk do t’i ndalin përpjekjet për të vënë para drejtësisë të gjithë ata individë përgjegjës për krime lufte” ka përfunduar Tahiri.