Tahiri: Dialogu teknik po jep rezultate

Zëvendëskryeministrja në largim, Edita Tahiri ka përshëndetur anëtarësimin e Kosovës me të drejta të plota në Procesin e Bashkëpunimit në Evropën Juglindore (SEECP) dhe Iniciativën Rajonale për Migrim, Azil dhe Refugjatë (MARRI). Ajo i ka quajtur këto anëtarësime si fuqizim i pozicionit të Kosovës në sferën ndërkombëtare. 

Lajme

26/06/2014 18:03

Zëvendëskryeministrja Tahiri ka thënë se anëtarësimi i Kosovës në SEECP është tregues se pozicioni ndërkombëtarë është fuqizuar.

“E kemi mirëpritur anëtarësimin e shtetit të Kosovës me të drejta të plota në Procesin e Bashkëpunimit në Evropën Juglindore (SEECP) dhe Iniciativën Rajonale për Migrim, Azil dhe Refugjatë (MARRI). Ky është një tregues i qartë i sukseseve të Qeverisë së Kosovës për të fuqizuar pozicionin ndërkombëtar të Kosovës në kuadër të vizionit tonë për integrime euro-atlantike”.

“Pjesëmarrja dhe anëtarësimi i Kosovës në organizata rajonale si SEECP, MARRI dhe më herët në RCC (Këshilli për bashkëpunime rajonale) janë rezultate të drejtpërdrejta të Marrëveshjeve të Brukselit dhe në veçanti të Marrëveshjes për Bashkëpunim Rajonal të arritur në shkurt të viti 2012 në Bruksel me ndërmjetësimin e BE-së, e cila  Marrëveshje garanton se Kosova do të anëtarësohet në organizata rajonale si shtet i barabartë me shtetet tjera”.

“Marrëveshja për Bashkëpunim Rajonal e arritur në dialogun teknik ka bërë që të hiqen pengesat e Serbisë në anëtarësimin dhe pjesëmarrjen e shtetit të Kosovës në organizata rajonale”, ka thënë Tahiri nëpërmjet një komunikate për media.

Tahiri ka falënderuar BE-në për gjithë angazhimet për zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit dhe mbështetjen për integrimin evropian të Kosovës. Ajo ka falënderuar edhe SHBA-të të cilët kanë qenë pjesëmarrës të drejtpërdrejtë në dialogun teknik duke dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për të arriturat e këtij procesi.

Zëvendëskryeministrja Tahiri ka shtuar se angazhimet vizionare dhe konstruktive të Qeverisë së Kosovës për dialog dhe stabilitet rajonal kanë ndikuar që të fuqizohet subjektiviteti ndërkombëtar i Kosovës, prandaj shteti ka arritur që të anëtarësohet në organizata të rëndësishme ndërkombëtare.

“Si rezultat, kemi anëtarësime në organizata të rëndësishme, siç ishte rasti më herët me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, më pas në Organizatën e Këshillit për Bashkëpunim Rajonal (RCC), tani patëm anëtarësimin në Komisionin e Venedikut të Këshillit të Evropës dhe sot e dje u përmbyll suksesshëm anëtarësimi në Procesin e Bashkëpunimit në Evropën Juglindore (SEECP) dhe Iniciativës Rajonale për Migrim, Azil dhe Refugjatë (MARRI)”, ka thënë ajo. 

“Kjo marrëveshje po ashtu ka ndikuar që vendet anëtarë të BE-së të cilat nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës të zbusin qëndrimet e tyre dhe të mos e pengojnë shtetin e Kosovës në procesin e integrimit evropian, për rrjedhojë, ne kemi pranuar udhërrëfyesin për viza, kemi hyrë në marrëdhënie kontraktuale me BE-në dhe kemi përmbyllur me sukses negociatat për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit me BE-në”.

“Anëtarësimi i Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran në këto organizata të rëndësishme është një hap drejt përmbushjes së synimeve tona për anëtarësim në BE, NATO dhe OKB”, ka thënë Edita Tahiri.