Zhvillimi ekonomik faktori më i rëndësishëm në forcimin e demokracisë

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, së bashku me anëtarët e kryesisë së Kuvendit, ka pritur në takim një grup kongresmenësh amerikanë, të kryesuar nga Vern Buchanan, e të cilët janë anëtarë të Komisionit të Kongresit për Partneritet në Zhvillimin e demokracisë.

Lajme

20/08/2015 12:47

Në takim  që u mbajt sot u bisedua për partneritetin e deritanishëm në mes Kongresit amerikan dhe Kuvendit të Kosovës, për përkrahjen e madhe që mekanizmat e Kongresit i kanë dhënë Kuvendit të Kosovës në ngritjen e kapaciteteve të tij legjislative dhe politike.

Buchanan u shpreh se kjo përkrahje do të vazhdoj edhe në të ardhmen, si pjesë e përkrahjes së gjithanshme të SHBA-së për Kosovën.

Kryetari Veseli  falënderoj delegacionin e Kongresit amerikan për këtë mbështetje, duke theksuar se ecja përpara e Kosovës dhe kapërcimi i sfidave me të cilat ballafaqohet aktualisht vendi ynë, varet nga partneriteti me SHBA-në dhe botën perëndimore në përgjithësi.

Veseli dhe Buchanan gjithashtu vlerësuan se forcimi i institucioneve demokratike në Kosovë kërkon, mes tjerash, një përqendrim më të madh në fushën e ekonomisë, sepse zhvillimi ekonomik është njëri ndër faktorët më të rëndësishëm në forcimin e demokracisë dhe shtetit të së drejtës. (Indeksonline).