Vazhdon gjykimi i Granit Paçarizit

Dy dëshmitarë kanë dhënë dëshminë në gjykimin e Granit Paçarizit, i cili akuzohet për vrasje në tentativë dhe armëmbajtje pa leje.

Lajme

01/06/2017 09:29

Në gjykimin që po zhvillohet në Gjykatën e Ferizajt, dëshmitari Egzon Krasniqi, i cili në këtë rast është edhe palë e dëmtuar, ka treguar se si kanë ndodhur ngjarjet në ditën kritike në Prizren më 6 korrik 2013.

Dëshmitari tha se pasi kishin pirë kafe me Hamit Alemdar ishin nisur për të blerë mish dhe duke kaluar afër pastiçerisë “Jupa” Hamiti kishe hasur në makinën e Graniti Paçarizit, që kishte qenë e parkuar në afërsi të lokalit.

Pas kësaj, Hamiti kishte ndalur makinën duke dashur të bisedonte me Granitin për problemin që kishin pasur një ditë më parë. “Sapo kishte shkuar Hamiti në drejtim të pastiçerisë ku ishin ulur Graniti, Amir Kryeziu dhe Xhevati kishte filluar përleshja”, tha dëshmitari Krasniqi.

“Unë menjëherë kam dal nga automjeti duke vrapuar në drejtim të pastiçerisë. Aty kam parë Granit Paçarizin duke u futur brenda në lokal. Kam marrë një dru (letvë) dhe iu kam lëshuar pas, ku ai më pas është futur në shank ka marrë revolen dhe ka dashur të shkrep në drejtim timin por nuk I ka punuar në ato momente revolja”, tregoi tutje dëshmitari.

Egzon Krasniqi tregoi se më pas ka tentuar që t’ia heq armën nga dora më drurin që kishte në dorë, duke e goditur madje në pjesën e përparme të kokës. Në këtë moment Granit Paçarizi kishte filluar të shkrepte me armë.

Sipas dëshmisë, gjatë kohës kur kishin filluar shkrepjet dëshmitari tha se kishte filluar të ikte në drejtim të derës, ku edhe ishte plagosur në pjesën e gjoksit duke marrë plagë të rënda.

Egzon Krasniqi tha se në natën kritike Granit Paçarizi së bashku me disa persona të tjerë kishin shkuar te pjesa ku qëndronte ky i fundit, në kampin e “Dokufest“, për shkak të një përleshjeje që kishte ndodhur në parkingun e “Andrrës“ mes nipit të të akuzuarit, Ideal Paçarizit dhe disa personave të tjerë një natë para natës kritike.

“Aty erdhën rreth 15 veta, të gjithë me thika, armë e mjete të tjera. Granit Paçarizi pasi pyeti se kush kishte marrë pjesë në përleshjen e parkingut dhe i thash që unë, tentoi të më grushtonte. Pasi na ndanë  i bëri dy hapa prapa dhe nxori armën duke tentuar të shkrepë por e larguan duke mos e lejuar ku me atë rast Hamiti ia mori revolen e më pas dhe karikatorin”, tha dëshmitari.

Egzon Krasniqi tregoi edhe për plagët e marra nga shkrepjet në ditën kritike duke thënë se nga ajo ditë ka pasur pasoja shumë të rënda shëndetësore dhe se ende është duke vuajtur pasojat, andaj kërkoi nga trupi gjykues të akuzuarin ta gjejë fajtor dhe theksoi se do të parashtrojë kërkesë pasurore juridike./Kallxo.com