Pushon ndjekja penale ndaj gjashtë ish-zyrtarëve të Prishtinës

Gjashtë zyrtarë komunal të Prishtinës ishin arrestuar për një tender në vlerë prej 3 milionë eurosh, dhe atëherë kryetari i KK të Prishtinës, Isa Mustafa pati thënë që Policia po punonte për SHIK-un.

Lajme

18/02/2015 18:22

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka hequr dorë që të ndjekë ish-zyrtarët e Komunë së Prishtinës, të cilët i pati akuzuar për shpërdorim të detyrës zyrtare në tenderin e vlefshëm 3 milionë euro – një tender i fituar nga kompania “Çlirimi” nga Prizreni.

Heqjen dorë nga rasti, ani pse aktakuza e kaloi konfirmimin në fazën fillestare, e ka konfirmuar për Express Imer Beka, kryeprokuror në këtë prokurori.

Megjithë insistimin, Beka nuk ka dhënë qasje në dokumentin për heqjen dorë nga ndjekja penale për ish-zyrtarët komunalë të kryeqytetit, por tha që prokurori aktual i këtij rasti, Ilaz Beqiri, ka vlerësuar se nuk ekzistojnë më rrethanat që të përndiqen penalisht Ekrem Rexha (1960), ish-shef i Prokurimit, Ridvan Shahini, ish-drejtor për Infrastrukturë, si dhe zyrtarët komumalë Refik Sadiku (1960), Halil Fejziu (1964), Hazir Krasniqi (1965) dhe Qazim Bajrami (1966).