Prokurimi publik, burim i keqmenaxhimit të parasë publike

Muhamet Mustafa tha se hartimi i specifikave teknike në kundërshtim me rregullat e tenderimit, është një nga burimet e keqpërdorimeve. Sipas Merita Mustafës nga KDI, mungesa e monitorimit, bën që mundësitë për zhvillimin e korrupsionit të jenë shumë të mëdha.

Lajme

26/03/2014 14:51

Mungesa e një monitorimi të mirëfilltë  rreth shpenzimit të parasë publike në sektorin e prokurimit publik, bën që mundësitë për rritjen e korrupsionit të jenë shumë të mëdha.

Kështu është thënë sot në debatin e organizuar nga Instituti Demokoratik i Kosovës/Transparency International Kosova, me temën “Shpenzimi i parasë publike përmes prokurimit publik”, në të cilën morën pjesë deputetë, përfaqësues të shoqërisë civile dhe përfaqësues të institucioneve tjera.

Merita Mustafa nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), thotë se nga gjetjet që janë bërë ka shumë elemente, të cilat qojnë deri tek konkluzioni se vërtet aty ka indikator që mund të ngrisin edhe hetime të prokurorisë, që do ta vuloste ekzistimin e korrupsionit në këtë sektor.

“Për vet faktin se ende nuk kemi një monitorim sa duhet të këtij sektori, mundësitë për zhvillimin e korrupsionit janë zakonisht të mëdha”.

“Këto dy vite sa e kemi monitoruar këtë sektor e kemi parë që Qeveria e Kosovës, ende nuk është duke i kushtuar vëmendje këtij sektori që të marrë hapa konkret për eliminimin e korrupsionit dhe përmirësimin, apo fuqizimin e mbikëqyrjes dhe kontrollit në këtë sektor”.

Ndërsa deputeti i LDK’së, Muhamet Mustafa, tha se prokurimi publik vazhdon të përballet me probleme të mëdha. Sipas tij, hartimi i specifikave teknike në kundërshtim me rregullat e tenderimit  është një nga burimet e keqpërdorimeve më të mëdha.

“Ne këtu kemi shumë probleme dhe mendoj se një nga burimet e keqpërdorimeve më të mëdha, bëhet në hartimin e specifikimeve teknike qoftë duke ia përshtatur një operatori, qoftë duke i lënë me qëllim mangësitë të cilat mund të manipulohen  më vonë gjatë zbatimit të tenderit”.

“Gjithë këto probleme që janë të ndërlidhura me prokurimin publik e bëjnë  këtë komponent shumë të rëndësishëm, si një nga hallkat kyçe të korrupsionit në rritje dhe në elementet e shtetit të kapur në Kosovë”.

Deputetja e PDK’së, Safete Hadërgjonaj, tha se në këtë vit pritet të bëhen plotësim ndryshimet e ligjit për prokurimin publik, sepse tani janë të  formuara grupet punuese për ta plotësuar këtë Ligj.

“Ne si komision i kemi dhënë rekomandimet dhe shpresojmë shumë që Qeveria do t’i marrë parasysh në momentin kur ta bëjë plotësim ndryshimin”.

Ndërsa Kryetari i Organit Shqyrtues të Prokurimit, Hysni Hoxha, tha se ka autoritete kontraktuese të cilat nuk e bëjnë planifikimin konform Ligjit mbi menaxhimin e financave të planifikimit të prokurimit publik.

“Në rast se këtu fillon e mbara atëherë nuk do të kemi kurrfarë probleme, sepse mjetet do të jenë të zotuara, mjetet do të jenë të planifikuara për realizimin e një projekti dhe në fund do të përmbyllet një bilanc shumë pozitiv i buxhetit të autoritetit kontraktues”, tha Hysni Hoxha.