Pakoja Fiskale II, ministri Hoti mbledhë bizneset

Ministri i Financave, Avdullah Hoti, me përfaqësuesit e Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), si dhe me përfaqësues tjerë të bizneseve ka mbajtur takimin për të diskutuar lidhur me krijimin e Pakos Fiskale II.

Lajme

20/01/2017 14:28

Gjatë takimit, ministri Hoti i ka paraqitur shtatë përmasat e bëra nga grupi punues i kësaj ministrie, por edhe masat e tjera të propozuara nga OEK-u dhe bizneset të cilat po kontribuojnë në zgjerimin e kësaj pakoje, raporton Ekonomia Online.

“Po numëroj disa nga masat e politikës fiskale që janë aprovua në qeveri në dhjetorë të vitit që shkoj. E para është zgjerimi i listës së lëndëve të para që lirohen nga tatimi doganor, ku kemi pranuar propozime nga Oda Ekonomike, nga Klubi i Prodhuesve; e dyta është heqja e normës për mazutin; e treta është ndryshimi me produktet të cilat i nënshtrohen normës prej 0 deri në 8% në TVSh; e katërta Udhëzimi Administrativ për pushimet, i cili përcakton sektorët specifik të kompanive që bëjnë investime dhe krijime të reja të vendeve të punës, pastaj është një akt legjislativ i kërkuar nga OEK për banderolat në produktet e miellit, e cila siguron joformalitetin dhe sjell siguri për ato produkte; pastaj është edhe një akt tjetër legjislativ për humbjen në peshë të disa produkteve dhe pika e shtatë është krijimi i kodeve të reja të disa produkteve”, ka thënë Hoti.

Kurse i pari i OEK-ut, Safet Gërxhaliu ka paraqitur katër propozim-rekomandimet për Pakon e re Fiskale.

“Propozoj katër rekomandimet për Pakon e re Fiskale, e cila do të ketë dualitet edhe në aspektin intern dhe atë ekstern. E para është dialogu që mund të kemi me bizneset; e dyta është që të ketë sundim të rendit dhe ligjit; dhe e treta e katërta janë më të komplikuara sepse njëra kërkon biseda dhe dialog ndër institucional dhe e katërta është formë e komunikimit me nivelin qendror dhe atë lokal”, ka thënë Gërxhaliu.

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, tregoi që vetëm gjatë vitit 2016 janë regjistruar 10 mijë e 600 biznese në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve (ARBK).

“Viti 2016 ka numrin rekord të regjistrimit të bizneseve. Vetëm gjatë 2016-ës janë regjistruar 10 600 biznese . Në asnjë vend të Bashkimit Evropianë nuk është e mundur. Sepse në shumë vende ndodh që më shumë të ketë biznese që janë shuar nga ato që janë regjistruar si biznese të reja”, tha Bajrami.