Në veri të Mitrovicës do të punësohen 246 punëtorë

Tre udhëheqësit kryesorë të Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq, kryetar i Mitrovicës i zgjedhur edhe për një mandat në zgjedhjet e 22 tetorit të vitit të kaluar, Adriana Hoxhiq, shefe e administratës në komunën veriore të Mitrovicës, ish-shefe e Zyrës Administrative të Kosovës në veri, si dhe Aleksandër Spiriq, kryetar paralel i Mitrovicës së Veriut, kanë siguruar qytetarët e veriut se edhe në vitin 2018, sikurse që ishte në vitin 2017, do të hapin shumë vende të reja të punës.

Lajme

04/01/2018 09:33

Ata krenohen me punën e tyre, siç kanë thënë në interes të qytetarëve të veriut të Mitrovicës, posaçërisht për hapjen e vendeve të punës në vitin 2017.

Sipas tyre, në vitin 2017 janë hapur gjithsej 246 vende të reja të punës dhe për këto vende pune janë shpallur dy konkurse.

Intervistomi me gojë dhe me shkrim i kandidatëve ka shkuar në faza dhe ai ka përfunduar, por nuk është raportuar për numrin e shqiptarëve të pranuar në punë sipas konkursit e që sipas Bashkim Cimilit, zëvendëskryesues i Kuvendit të Mitrovicës së Veriut, nuk është paraqitur asnjë raport në Kuvend, shkruan “Zëri”.

Ai thotë se ndonëse ishte interesuar nuk ka marrë asnjë përgjigje për numrin e shqiptarëve të pranuar, që sipas Cimilit duhet të jetë 30 për qind, duke u bazuar në strukturën etnike të popullatës në veri.

“Ne kemi kërkuar që përqindja e shqiptarëve që pranohen në punë të jetë 30 për qind, por kryetari Rakiq pati siguruar se të paktën do të pranohen 10 për qind. Në dy rastet konkursi është mbyllur, kandidatët janë intervistuar, por unë kam njoftime se janë pranuar vetëm 3 shqiptarë, bile edhe ata janë të jugut të Mitrovicës, nuk janë të veriut hiç”, ka thënë Cimili për “Zërin”, duke shtuar se as Rakiq e as Adriana Hoxhiq nuk kanë pranuar të flasin për këtë çështje.