Ministri Krasniqi: Begatoni me prodhime vendore sofrën tuaj festive (Foto)

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi në prag të festave të fundvitit ka kërkuar nga qytetarët e vendit që ta begatojnë sofrën e tyre me prodhime vendore. Këtë kërkesë e ka bërë pasi siç thotë ai, jo veç pse janë vendore por sepse janë cilësore dhe të shijshme.

Lajme

22/12/2015 14:54

“Kompanitë tona prodhuese, nga viti në vit kanë shtuar linjat e prodhimit dhe kanë zgjëruar prezencën në treg. Cilësia e prodhimeve vendore është rritur dukshëm dhe në familje time ato kanë zëvendësuar pothuajse të gjitha prodhimet e huaja. Jo veç pse janë vendore, por sepse janë cilësore dhe të shijshme”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.

Si ministri,  thotë ai, në vitet e fundit i kanë përkrahur shumë prodhuesit vendor, transmeton lajmi.net.

“Gjatë këtij viti kemi përuruar disa fabrika, ndërsa shumë të tjera janë në proces të rritjes së kapaciteteve të prodhimit, edhe me ndihmën e granteve të ministrisë. Mbështetja jonë nuk do të mungojë asnjëherë, në mënyrë që tryezat tona të mbushen me prodhimet tona”, shkruan ai më tutje.

Por, mbështetja më e madhe, sipas Krasniqit, është që secili prej nesh t’i blejë dhe t’i promovojë këto prodhime.

“Duke e bërë këtë, ne të gjithë ndihmojmë zhvillimin e ekonomisë së Kosovës dhe mundësojmë hapjen e e vendeve të reja të punës. Andaj, për festat e fundvitit dëshiroj të ju rekomandoj që ta begatoni sofrën tuaj me prodhime vendore”, ka përfunduar ai./lajmi.net.