Kushërinjtë dhe miqtë pushtuan Ministrinë e Tregtisë

Në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë janë vënë re largime të punëtorëve nga puna dhe zëvendësimi i tyre me familjarë dhe miq, megjithatë, ka të atillë që nga këta të fundit janë avancuar në pozitat e këtij institucioni. Nepotizmi duket se s'ka të ndalur.

Lajme

14/03/2014 07:30

Nepotizmi dhe punësimi i militantëve partiakë nëpër institucione dhe dikastere të Qeverisë së Kosovës nuk ka të ndalur. Për të realizuar këtë qëllim, disa dikastere të Qeverisë kanë aplikuar kinse rregullore për ristrukturim të brendshëm, duke rezultuar me ndërrim të pozitave madje edhe largim të punëtorëve nga puna.

Top-listës me këtë fenomen i prin Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, ngase përgjatë një mandati Qeverisës janë ndërruar me dhjetëra drejtorë të departamenteve, agjencive etj.

Ka raste kur largimi është bërë në mënyrë të paligjshme. Nga burime brenda MTI’së, gazeta i ka siguruar të dhënat për largimet e punëtorëve nga puna dhe zëvendësimin e tyre me familjarë dhe miq, madje ka të atillë që janë avancuar në pozita.

“Gjatë këtij mandati në MTI janë ndërruar shumë drejtor të agjencive dh departamenteve të ndryshme”, tha një burim Kosova Sot.