Drashkoviq “bombardon”: Politikën, Kishën dhe mediat në Serbi i quan anti-perëndimore

Kryetari i Lëvizjes për Ripërtëritjen Serbe, Vuk Drashkoviq po vazhdon me deklarata tronditëse për opinionin serb.

Lajme

12/12/2015 16:14

Ai në përvjetorin e subjektit të tij politik, ka thënë se rruga e Serbisë në integrimin evropian po bllokohet nga shërbimet sekrete ish-komuniste jashtë vendit dhe nga të gjitha forcat politike e publike në Serbi.

“Bllokimi i evropianizimit të Serbisë është një qëllim i disa rrjeteve të fuqishme të sigurimit, elitës anti-perëndimore, kishës serbe, tabloidëve dhe të pothuajse të gjitha mediave në shtet”, ka thënë Drashkonviq, transmeton lajmi.net.

Sipas tij, Marrëveshja e Brukselit për normalizimin e raporteve me Prishtinën është në rrezik, dhe serbët në Kosovë “po korrin frytet e hidhura të patriotizmit antishqiptar i cili, përveç përmendjes së luftës, është përdorur edhe kundër anëtarsimit të Kosovës në UNESCO”.

“Kishat serbe tani nuk mund të mbrohen nga Serbia pasi që kemi kërkuar që ato të mos mbrohen as nga Kosova. Kemi kërkuar që trashëgimin në Kosovë të mos na e mbrojë askush. Kemi bërë një fushatë në dëm të vetvetes dhe kemi shkaktuar zemërim te shqiptarët. Tash viktima të shqiptarëve mund të jenë serbët dhe rruga e Serbisë drejtë BE-së”, ka thënë ai.

Ai është shprehur edhe kundër lutjes që Serbia i kishte bërë Rusisë që me veton e tyre në Këshill të Sigurimit ta ndalojnë rezolutën për gjenocidin në Srebrenicë.

Drashkoviq e ka kritikuar dhe presidentin Tomislav Nikoliq për deklaratën e tij, ku e kishte quajtur Rusinë si nënë të Serbisë.

“Ne nuk e mbështesim deklaratën e shefit të shtetit se për ne në Serbi, Rusia është nënë. Për ne Serbia është themeli dhe çatia. Me nënën mund të shkojmë në Siberi dhe asnjëherë në Evropë. Deri në tani Rusia i mbron të gjithë ata që janë akuzuar për krime lufte në Hagë dhe vazhdojnë të akuzohen, të cilët përgjatë këtyre viteve i kanë sjellë vetëm dështime dhe turp”, ka thënë ai./lajmi.net