Dhuna ndaj grave në rritje

Dhuna ndaj grave, në Kosovë, Shqipëri por edhe në gjithë rajonin ka shënuar rritje viteve të fundit. Organizatat që merren me të drejtat e grave bëjnë të ditur se në Kosovë viteve të fundit rreth 1000 femra bien pre e dhunës vetëm brenda një viti.

Lajme

07/03/2015 21:56

Njëra nga viktimat e dhunës në familje në Kosovë, tashmë prej një muaj e gjysmë ndodhet në strehimore së bashku me djalin e saj 6 vjeçar, në të cilën ishte vendosur disa herë më parë.

Në rrëfimin e saj për AA, ajo ka deklaruar se më parë ishte viktimë e familjes së saj në Shqipëri, e cila e kishte shitur për një mijë euro. Por ajo iku dhe u kthye në familjen e saj. Megjithatë, siç tha ajo, anëtarët e familjes e kanë lënë të uritur, e kanë detyruar të punojnë në fusha gjatë gjithë ditës dhe e kanë kërcënuar se do ta vrasin.

Kjo grua për një kohë u strehua tek motrat, ndërsa në vitin 2005 ajo vendosi të martohej me një burrë më të vjetër nga Kosova, vetëm që të siguroj një kafshatë bukë dhe qetësi. Doli që burri i saj nuk është i ve, ashtu siç ai paraqitej, por kishte grua dhe katër fëmijë …. Pas tre vitesh kur lindi djali, burri i saj filloi ta keqtrajtonte, duke ushtruar dhunë. “Më rrihte, më kapte për fyti, donte të më vriste,” tregonte kjo grua e cila në ndërkohë arriti të ndahet nga burri i saj. Tani lufton për ushqimin e caktuar nga gjykata, por ish-burri i saj nuk pajtohet me vendimin që djali të mbetet me nënën e tij.

Histori jete të ngjashme ka edhe tek shumë gra tjera viktima të dhunës në familje. Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, numri më i madh i viktimave të dhunës në familje janë gratë. Ata janë viktimat më të shpeshta të dhunës psiqike, fizike dhe seksuale. Në Kosovë, dhuna ndaj grave është lidhur me kushtet socio-ekonomike, varfërinë, papunësinë, traditën por edhe me mos respektimin e ligjit për barazinë gjinore.

Naime Sherifi, drejtoresha ekzekutive e Qendrës për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve në Prishtinë, vë në dukje se në të tre-katër vitet e fundit numri i grave viktima të dhunës sillet rreth 1000, ndërsa në 2014 ky numër arriti në 1.200 persona. Në Kosovë janë shtatë “strehimore” për viktimat e dhunës në familje. Sherifi thotë se në 2013 në të gjitha strehimoret kishte 440 viktima, ndërsa në 2014, rreth 460 apo 470.

Kishte raste kur në strehimore ndodheshin gra me nga shtatë apo tetë fëmijë, ndërsa problemi më i madh është, siç thotë ajo, për të siguruar strehim për viktimat pas qëndrimit në strehimore. Punohet rreth asaj, që të jetë obligim i komunave në territorin e të cilit jetojnë.

Dhuna në familje është një problem i madh edhe në Shqipëri, ku edhe kryeson dhuna ndaj grave. Sipas të dhënave të policisë, prej 94, sa ishte numri i rasteve në 2005, në vitin 2012, u rrit në 2.526, ndërsa në vitin 2013 regjistrohet një shifër prej 2.346 rasteve të raportuara të dhunës në familje. Sipas Institutit të Statistikave, nga 2007 deri 2013, përqindja është rritur nga 56 në 59 përqind e numrit të grave që janë abuzuar.

Dhuna ndaj grave është forma më e përhapur e dhunës në familje me të cilën përballen të gjitha vendet e rajonit të Ballkanit. Në vitet e fundit, regjistrohet rritje e dhunës në familje në të gjitha vendet e rajonit, ndërsa sipas të dhënave në dispozicion në vit raportohen më shumë se dhjetë mijë raste të dhunës në familje. Megjithatë, sipas ekspertëve, vetëm një përqindje e vogël e dhunës në familje raportohet në institucionet përkatëse.

Sipas anketës gjithëpërfshirëse dhe karakteristikat e dhunës në BeH, raportohet vetëm dhjetë për qind e rasteve të dhunës në familje. Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme të Federatës së BeH-së dhe të Policisë së Distriktit Bërçko të Federatës së BeH, në vitin e fundit janë raportuar 1.032 raste të dhunës në familje, për deri sa në etnitetin Republika Srpska (RS) gjatë vitit të fundit janë regjistruar 1.363 raste të dhunës në familje.

Në BeH në 2013 janë regjistruar 2.757 raste të raportuara të dhunës në familje. Në të njëjtin vit, në nëntë strehimore në BeH janë vendosur 417 viktima të dhunës në familje, dhe ka pasur 4.985 thirrjet në linjën S.O.S.

Shumica e vendeve të rajonit kanë miratuar Konventën e Stambollit mbi parandalimin e dhunës në familje, por akoma vazhdojnë të punojnë rreth përafrimit të ligjeve nga ky dokument.

Koordinatorja e institutit këshillëdhënës kundër dhunës në familjes, Vesna Stanojeviç është e mendimit se ligji i tanishëm për këtë çështje në Serbi është i mirë, por problemi është në zbatimin e tij. Ajo gjithashtu theksoi faktin se gratë për shkaqe të ndryshme heqin dorë nga padia. Dënimet, kur është fjala për vepër penale sillen nga 14 në 40 vjet, por problemi qëndron në shqiptimin e këtyre dënimeve.

Stanojeviç, sa i përket vitit 2013, thekson se ishte një nga vitet më të këqija në Serbi. Në këtë vit u regjistruan 46 gra të vrara nga dhuna në familje. Më së shpeshti raportohet dhuna fizike. Që nga fillimi i këtij viti instituti ka pranuar 300 telefonata. Në Serbi, ka dhjetra strehimore. Siç deklaroi Stanojeviç, nëpër këto objekteve kalon një numër i madh i grave, ndërsa kapacitetet janë pothuajse të gjitha përplot.

“Në vitet e mëparshme, koha që gratë kaluan në strehimore mesatarisht ishte rreth katër apo pesë muaj. Tani është më pak, qëndrimi zgjat rreth tre muaj. Pas kësaj, gratë dalin nga strehimorja. Disa kthehen tek prindërit e tyre, por ka të tilla që kthehen tek burrat e tyre, vitin e kaluar kështu vepruan 17 përqind e grave pas largimit nga strehimorja. Në masë të madhe kjo varet nga gjendja financiare e grave”, tha Stanojeviç.

Kroacia deri më sot nuk ka ratifikuar Konventën e Këshillit të Evropës për parandalimin dhe luftën kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje. Vishnja Ljubiçiç, avokatja e popullit për barazinë gjinore, sipas disa të dhënave, pretendon se është rritur dhuna në familje kundër gruas në të gjitha format.

Në 2013, në bazë të Ligjit për mbrojtjen nga dhuna në familje, për kundërvajtje ishin akuzuar 16.564 persona, që është 7,9 përqind më pak se në të njëjtën periudhë të 2012, dhe që paraqet një rënie të vazhdueshme që nga viti 2010. Rastet më të shpeshta të dhunës në familje në 2013 ishin burri ndaj gruas, 3.897 raste.

“Në 2013, si rezultat i dhunës në familje u vranë 15 gra, ku në dy të tretat e rasteve si shkaktarë paraqiten burrat, një vit më parë u vranë 27 gra. Mund të flasim për mesataren prej 15-28 gra në pesë vitet e fundit”, tha Avokati i Popullit Ljubiçiç.

Në Kroaci ka 19 strehimore dhe institucione këshillëdhënëse për viktimat e dhunës në familje, por edhe ky ballafaqohet me problemin e mos paraqitjes të dhunës në familje.

“Zakonisht mungon besimi i viktimave në institucione, dhe për këtë arsye viktimat shqetësohen se pas lajmërimit të dhunës do të jetë edhe më keq,” tha Ljubiçiç.

Në Mal të Zi, mesatarisht, çdo ditë nga një grua i drejtohet strehimoreve për ndihmë. Nga Zyra e strehimores së grave në Podgoricë thonë se situata në këtë aspekt shkon drejt përmirësimit, por se gratë ende kanë frikën për të lajmëruar dhunën në familje.

Sipas zyrës së strehimore të grave në Podgoricë, në 2014 kësaj organizate i janë drejtuar 385 gra viktima të dhunës në familje. Gjatë vitit të kaluar në strehimore ishin vendosur 144 persona, prej të cilëve 71 gra dhe 73 fëmijë. Gjithashtu, për 237 gra është ofruar këshillim në zyrat e ZSG, ndërsa për 385 është ofruar konsultim fillestar me telefon.

Strehimore për gratë ekzistojnë në Podgoricë, Nikshiq dhe Plavë.

“Ka një mijë e një arsye pse femrat nuk lajmërojnë dhunën në familje. Kryesisht ka të bëjë për shkak të fëmijëve. Sepse burrat kërcënojnë gratë, u thonë atyre se mund të shkojnë, por fëmijët nuk mund ti marrin me vete”, thotë drejtoresha e Strehimoreve të Grave në Podgoricë, Liljana Raiçeviç.

Në Maqedoni, sidomos vitin e fundit, është shënuar një rritje e abuzimit të grave në familje. Sipas Ministrisë së Brendshme të vendit, vitin e kaluar janë regjistruar 901 raste të dhunës në familje. Prej të cilave rreth 83 përqind ka të bëj me dhunën ndaj grave.