Amerikanë japin 700 mijë dollarë për Kalanë e Prizrenit

Kalaja e Prizrenit do të jetë një nga pikat kryesore turistike të Kosovës, në veçanti pas një restaurimi gjithëpërfshirës që do t’i bëhet asaj. 

Lajme

25/09/2014 17:45

Ambasada Amerikane në Prishtinë, nga Fondi i Ambasadorit për Trashëgimi Kulturore, për Kalanë e Prizrenit do të ndajë 700 mijë dollarë.

Për këtë sot Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Ambasada Amerikane në Prishtinë, Instituti Arkeologjik i Kosovës (IAK) dhe organizata Trashëgimia Kulturore Pa Kufij (CHwB) kanë nënshkruar Memorandumin e Bashkëpunimit për konservimin dhe restaurimin e Kalasë së Prizrenit.

Memorandumi është nënshkruar në Kala, nga ministri Memli Krasniqi, zv.ambasadorja amerikane, Jennifer Bachus, drejtori i Institutit Arkeologjik të Kosovës, Enver Rexha dhe drejtori i CHWB-së, Sali Shoshi.

Ministri Krasniqi tha se nënshkrimi i këtij memorandumi është një moment shumë i rëndësishëm për trashëgiminë kulturore të Kosovës. Ai falënderoi Ambasadën amerikane për mbështetjen e vazhdueshme që i ka dhënë trashëgimisë kulturore të Kosovës.