Alaskë, trefishohet vdekshmëria e balenave

Arktiku po ngrohet më shpejt se sa çdo pjesë tjetër e planetit tonë. Gjatë udhëtimit të tij në Alaska, presidenti Barack Obama foli rreth nevojës për të vepruar karshi ndryshimeve klimatike ose përndryshe do të përballemi me pasojat më të rënda.

Bota

12/09/2015 22:35

Që nga maji, 30 balena të vdekura janë gjetur në brigjet e Gjirit të Alaskës. Deborah Fauquier është shkencëtare për speciet detare.

“Mesatarisht vdesin tetë balena në vit. Numri është shtuar dhe është arye për shqetësim.”

Situata ekstreme e vdekshmërisë, siç e quajnë shkencëtarët, ka nxitur hetime, thotë shkencëtarja Deborah Fauquier.

“Mund të jemi në gjendje të zbulojmë se kush janë shkaktarët, viruset apo algat e dëmshme.”

Shumica e algave janë të padëmshme me përjashtim të disave që janë toksike dhe vdekjeprurëse. Lulëzimi më i madh në një dekadë arriti kulmin në qershor përgjatë brigjeve të Paqësorit, falë ujrave të ngrohta dhe motit të qetë dhe me diell. Shkencëtarët do të ekzaminojnë balenat nëse kanë alga të dëmshme në trupin e tyre.

“Varet thellësia se ku ushqehen dhe sa më lart të jetë burimi i ushqimit aq më toksik bëhet.”

Ujrat përqark Alaskës po ngrohen, një prirje nga 2014 dhe që vazhdon edhe sot me tre gradë celsius mbi normalen. Shkencëtarët thonë se kjo lloj ngrohje është rezultat i stuhive El Nino dhe erërave dhe nuk ka lidhje me ndryshimet klimatike.

Por ndotjet globale po e ngrohin planetin me Arktikun që po ngrohet më shpejt se sa çdo vend tjetër.

“Speciet e Arktikut që kërkojnë ujra të ftohta do të ndikohen si rezultat i ndryshimit të mikroorganizmave dhe rrjedhimisht bazës ushqimore. Do të preken llojet e peshqve që mund të shkojnë më në veri. Po ashtu edhe peshqit më të mëdhenj do të detyrohen të ndjekin ushqimin ose do të ngordhin.”

Administrata Kombëtare për Oqeanet dhe Atmosferën shpreson se hetimet do të sqarojnë arsyen e vdekjes së balenave. Ky është edhe njëri prej hapave më të rendësishëm për të kuptuar problemin.