Sundimi i pafuqisë

Ndjenja e pafuqisë e gërryen dhe shkatërron një njeri, një familje, e lëre më një shoqëri. E kjo pikërisht po na ndodhë neve, në Kosovë.

Lajme

05/02/2015 11:47

Protesta mbahet çdo mbrëmje. Është e qetë. Ka emocione sa të duash. Nuk ka foltore, altoparlantë, folës dhe politikanë. Nuk ka duartrokitje, nuk ka fishkëllima. Nuk ka gurë dhe nuk ka dhunë. Dhe të gjithë janë të bashkuar rreth një ideje, një mendimi, një qëllimi.

Pjesëmarrësit në këtë protestë janë prej të katër anëve të Kosovës. Janë të të gjitha moshave. Janë përfaqësues të të gjitha shtresave sociale. Janë gjithsesi, votues të partive që janë në Qeveri dhe të atyre që janë në Opozitë. Ka me siguri edhe të tillë që nuk janë sjellë rreth qendrave të votimit për vite të tëra.

Që të gjithë këta protestues, duan të hyjnë në Evropë. Ashtu si edhe gjithë Kosova. Ama këta, të gjithë, mendojnë që në Evropë duhet të mbërrihet urgjentisht, në baza individuale dhe familjare, ilegalisht, kah Hungaria.

Këta pra, ama të gjithë, nuk besojnë më që edhe Kosovë, edhe Evropë, mund të ketë këndejpari. Që edhe Kosovë, edhe stabilitet politik, edhe rahati sociale, edhe mirëqenie, mund të ketë. Këndejpari. Jo edhe për vite të tëra. Ndoshta kurrë.

Kështu e kanë bindjen të gjithë këta protestues të cilët për çdo natë nisen të ikin prej Kosovës. Këta e kanë ndarë mendjen: Rrëzimi apo ngritja e kësaj apo asaj Qeverie, e këtij apo atij politikani, nuk do të ndryshojë gjë në jetën e tyre. As nuk do ta ndryshojë Kosovën.

I kujt është pra ky popull që po largohet nga Kosova? Kush do të merr përgjegjësinë për këtë gjendje të rëndë ku ka mbërri shteti i Kosovës në javët dhe muajt e fundit, e cila ka marrë trajtën e një dyndje masive kah Perëndimi?

Pyetje të kota. Duhet kërkuar falje që bëhen fare.

Nuk ka më keq për një shtet dhe për një shoqëri, se sa kur mbërrinë në këtë stadin aktual ku jemi, i cili fund e krye karakterizohet me ndjenjën e pafuqisë së plotë karshi fatit tënd.

Shteti bëhet pos tjerash, për të shmangur rrezikun e shkatërrimit të një shoqërie, dhe për të qenë në ballë të fatit të një kolektiviteti.

Nuk ka shtëpi a familje sot në Kosovë, e cila nuk e ka ag e terr, llafin e ikjes së shqiptarëve nga Kosova. Midis tjerash, sepse ka shumë familje që janë drejtpërdrejtë të goditura nga kjo dukuri. Dhe mbase që të gjithë, mbërrinë veçmas te konkludimi që i bashkon gati të tërët: Duhet bërë gjithçka për ta ndalë migrimin e kosovarëve.

Dhe kjo gjithçka, kur provon të merr trajtat më konkrete, zbret në një hapësirë boshe, ku nuk ka çka t’i ofrohet atij qytetari që mendon që nuk ka më çka të pret më, apo, që duhet t’i mësyjë Evropës. Menjëherë.

Kjo ndjenja e pafuqisë, e gërryen dhe e shkatërron një njeri, një familje, e lëre më një shoqëri. E kjo pikërisht po na ndodhë neve, në Kosovë.

Mbase të gjithë e dimë atë rrëfimin për eksperimentin me bretkosën.

Ajo e para, futet në ujë, i cili ngrohet ngadalë, por vazhdueshëm. Bretkosa disi adaptohet dhe qëndron tutje në ujin që mbërrinë një temperaturë të lartë.

Ajo e dyta, që hidhet në po të njëjtin ujë, por që më parë ka qenë jashtë, nuk e duron fare këtë temperaturë të ujit dhe kërcen menjëherë jashtë.

Si shoqëri, të gjithë ne që jetojmë këtu, jemi brenda një ene gjigante, të mbushur me ujë që veç sa nuk ka vluar. Deri vonë, disi i përballonim të gjithat. Ishim të bindur që do t’ia dalim, apo që disi do të shpëtojmë a do të nxirremi sërish. Kemi shpëtuar nga më e keqja, që megjithatë ishte një e keqe e huaj, e pse të mos shpëtojmë sërish. Kësaj radhe, nga e keqja që është ‘prodhim vendor’.

Por ja që tash kemi mbërri në ditët kur po duam të dalim disi prej kësaj ene të madhe. Secili e ka një rrëfim të vetin se si duhet të shpëtohet. Prej vetes. Madje ka edhe shpëtimtarë të licencuar.

Ndërsa kushdo që mundohet të marr frymë thellë dhe të matet shumë para se të flasë, realisht mbërrinë tek një heshtje e rëndë. Ata që po ikin, po mendojnë që e dinë kah janë nisë, ku duhet të mbërrijnë. As kaq nuk po dimë ne të tjerët. Që po rrimë këtu.

(Autori është Nënkryetar i AAK-së dhe kolumnist i rregullt i lajmi.net)