“Sulltani” i ri i Turqisë, pallati i 350 milionë dollarëve me 1,000 dhoma

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan po shpërngulet në të ashtuquajturin Pallat i Bardhë, në periferi të Ankarasë, ku e pret rezidenca e re, ndërtimi i së cilës kushtoi 350 milionë dollarë.

Bota

30/10/2014 22:22

Ky objekt madhështor, për të cilin kritikët thonë se paraqet vetëm dëshmi të re për  qëllimet autokratike të Erdoganit, ka 200,000 metra katrorë dhe 1,000 dhoma. Nga ana e arkitekturës, ai bashkon stilet e ndërtimit modern dhe ato nga koha e sulltanëve të dinastisë Selcuk, nga e cila u zhvillua mbretëria otomane.

Për pranimin e parë në këtë pallat Erdogani e ka zgjedhur kremtimin gjatë kësaj jave të shpalljes së Turqisë moderne, në vitin 1923, nga ana e Kemal Mustafa Ataturkut.

Pos vërejtjeve të ekologëve që Pallati është ndërtuar në zonën e mbrojtur natyrore Beshtepe të Ankarasë, lajmi.net transmeton se edhe më e brengosur është opozita turke, e cila thotë se me shpërnguljen e Erdoganit në këtë pallat po përshpejtohet kalimi nga sistemi parlamentar në atë presidencial.  

Udhëheqësi konservator Erdogan, me kalimin në Pallatin e Bardhë dëshiron ta lërë prapa vetes trashëgiminë sekulare të Ataturkut, pasi do që të largohet nga vila në Cankaya, e cila ka qenë rezidencë e 12 presidentëve të kaluar të Turqisë.

Erdogan ka paralajmërua se po arrin koha e “Turqisë së re”, kështu që mendohet se kjo shpërngulje mund të jetë pjesë e projektit të tij.

Ersin Kalaycioglu, profesor i shkencave politike në Universiteti e Stambollit Sabanci, pohon se Erdogani sipas të gjitha gjasave në këtë mënyrë dëshiron të shkëputet nga e kaluara.

“Kjo do të thotë se ai nuk dëshiron të bëhet një nga ish-banorët e rezidencës Cankaya”.