Studentët: Kush shkon te Rama, nuk është pjesë e jona

Ndërkohë ka nisur marshimi nga të gjitha fakultetet, drejt rrugëve që të shpien për në Ministrinë e Arsimit, atje ku është protestuar prej një jave.

Lajme

11/12/2018 14:38

Në ditën e shtatë të protestës së tyre, studentët e të gjitha Universiteteve publike janë mbledhur për të protestuar para Ministrisë së Arsimit.

Studentët kanë marshuar fillimisht në Bulevard dhe nga të gjitha fakultetet në Tiranë dhe më pas janë mbledhur tek ministria.

Gazetari Erjon Skëndaj raportoi për “BalkanWeb” se studentët e Politeknikut, Arteve dhe Gjeologji Minierave u mblodhën tek Korpusi dhe më pas kanë parakaluar në Bulevard para kryeministrisë ku ka pasur ovacione dhe thirrje për kryeministrin Edi Rama.

Ata e kanë nisur me këndimin e Himnit Kombëtar dhe më pas me parulla për plotësimin e kërkesave të tyre, kryesisht uljen e tarifave. Studentët e gjeologji minierave janë me kaska të verdha, ndërsa studentët e arteve kanë marrë veglat muzikore.

Ndërkohë ka nisur marshimi nga të gjitha fakultetet, drejt rrugëve që të shpien për në Ministrinë e Arsimit, atje ku është protestuar prej një jave.

Ora 16:00 e ditës së sotme është afati i fundit që studentët i kanë lënë qeverisë për të plotësuar 8 kërkesat e tyre. Në skadim të këtij afati, kanë paralajmëruar përshkallëzim, deri në grevë urie.