Studentët e Shqipërisë protestë para Kuvendit

Me ligjin e ri të arsimit të lartë universitetet publike shqiptare do ti rrisin tarifat duke i barazuar pothuajse me universitetet private, çka do të thotë se shkojnë mbi 1 mijë euro sipas fakulteteve. Ky ishte shqetësimi i ngritur sot nga opozita në sallën e Parlamentit ndërkohë që jashtë dhjetëra studentë protestonin për të njëjtën arsye.

Lajme

17/09/2015 16:05

Ish – ministri i Arsimit, aktualisht deputet i PD-së, Myqerem Tafaj kritikoi mazhorancën për këtë ligj ndërsa tha se pretendimet e opozitës për përmirësimin e ligjit nuk janë marrë parasysh.

Ai, theksoi se problemi më i madh në këtë ligj është rritja e paparashikuar e tarifave studentore, që do ti detyrojë shumë studentë të mos shkojnë në shkollë.

“U shprehëm hapur dhe qartë që ky ligj nuk garanton zhvillimin afatgjatë të sistemit të arsimit të lartë shqiptar në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, parimet e procesit të Bolonjës dhe prirjet e sotme dhe perspektiva e zhvillimit të arsimit të lartë në hapësirën europiane. Ju si mazhorancë injoruat të gjitha qëndrimet tona, madje i konsideruat të motivuara politikisht”.

“Ne si opozitë e konsiderojmë dekretin e Presidentit të Republikës të kthimit për rishqyrtim të ligjit në Kuvend si një mundësi reale për qeverinë dhe Kuvendin për të përmirësuar. Qeveria deklaroi menjëherë se nuk do të ndryshojë asnjë fjalë në ligj dhe kështu ndodhu ligji vjen sot për tu rivotuar pa asnjë ndryshim dhe ne jemi të sigurt se ju keni shumicën e votave dhe do ta votoni. Por natyrisht çështja e parë që ngrihet dhe pasqyrohet në këtë relacion është çështja e tarifave, praktikisht e rritjes së paparashikuar të tarifave të cilat mund të çojnë në kosto të papërballueshme jo vetëm për studentët e varfër por edhe për studentët që vijnë nga familje me të ardhura të mesme”, tha ish ministri i Arsimit Myqerem Tafaj.

Ligji për arsimin e lartë është rikthyer sërish në Parlament pas rrëzimit që i bëri mazhoranca dekretit të Presidentit Nishani.

Asnjë fjalë nuk i është ndryshuar ligjit në fjalë, dhe opozita është shprehur se është e ndërgjegjshme se mazhoranca i ka të gjitha votat për ta miratuar.

Rritja e tarifave sigurisht që prek edhe studentët nga trojet që vijnë për të studiuar në universitetet shqiptare. (KosovaPress).