Strugë, mungon paralelja për fëmijët shqiptarë me nevoja të veçanta

Fëmijët shqiptarë me nevoja të veçanta nga Struga, në mungesë të kuadrit shqiptar janë të detyruar që mësimin e ndjekin në gjuhën maqedonase. Drejtori i Shkollës fillore Vëllezërit Milladinovci, Shkelqim Aliu thotë se më 11 nëntor 2015, kanë kërkuar nga Ministria e Arsimit punësimin e një defektologu shqiptar, me këtë edhe hapjen e një paralele në gjuhën shqipe, por përgjigja që morën ishte negative.

Lajme

10/04/2016 11:15

Drejtori Aliu gjithashtu thotë se për të mos mbetur jashtë procesit arsimor, disa nga fëmijët përfshihen në arsimin e rregullt. Defektologu i vetëm Sonja Maxhoska vlerëson se të gjithë fëmijët me nevoja të veçanta duhet të mësojnë në gjuhën e tyre amtare.

“Duke pasur parasysh problemet që kanë fëmijët me nevoja të veçanta do të jetë shumë më mirë të ndjekin mësimin në gjuhën e tyre amtare, kryesisht për shkak të nevojave specifike që i kanë. Do apeloja tek prindërit e fëmijëve me nevoja të veçanta që të diagnostikojnë sëmundjen sa më herët, ta zbulojnë sa më herët problemin, si dhe të vizitojnë sa më shpejt komisionin për shpërndarje dhe kategorizim me qëllim të arsimimit sa më adekuat dhe rehabilitim të plotë”, tha Maxhoska.

Për të hapur një paralele të tillë kërkohet pëlqimi nga Ministria e Arsimit, gjë që deri më sot nuk është bërë, thonë nga komuna e Strugës. Po ashtu theksojnë se në Strugë ka nevojë të punësohen defektologë shqiptarë./alsatm

YouTube player