Sqarohet Presidentja: Respektohet autonomia e Kuvendit

Zyra e Presidentes ka dalë me një sqarim për media, ku thotë se ky institucion respekton plotësisht autonominë e Kuvendit të Kosovës.

Lajme

01/10/2014 21:54

Përmes një komunikate për media, Zyra e Presidentes thekson se asnjë procedurë e brendshme e Kuvendit, duke përfshirë këtu edhe thirrjen e seancës për konstituimin e Kuvendit, nuk ndërlidhen me takimet që presidentja Jahjaga është duke i zhvilluar me liderët e partive politike, me qëllim të lehtësimit të dialogut për të gjetur një zgjidhje.

“Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës sqaron opinionin publik se takimet e Presidentes me liderët e partive politike parlamentare janë proces i veçantë, që synon të lehtësojë diskutimet mes tyre, me qëllim të gjetjes së një zgjidhjeje për krijimin e institucioneve të reja të vendit, në pajtim me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës”.

“Zyra e Presidentes thekson faktin se Kuvendi i Kosovës është institucion plotësisht autonom. Asnjë procedurë e brendshme e tij, përfshirë edhe thirrjen e seancës së tij, nuk ndërlidhet me përpjekjet e Presidentes për lehtësim të dialogut”.

“Presidentja Jahjaga respekton pavarësinë dhe rregullat e Kuvendit”.

“Presidentja Jahjaga do të vazhdojë të luajë rolin e saj kushtetues të faktorit të unitetit”.

“Presidentja bën thirrje te të gjithë liderët politikë në vend që të përshpejtojnë gjetjen e zgjidhjes së çështjes për krijimin e institucioneve”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Zyra e Presidentes.