Sot përurohet autostrada “Ibrahim Rugova”

Nën përkujdesjen e Kryeministrit Hashim Thaçi, sot në orën 16:00 organizohet ceremonia e përurimit të përfundimit të projektit madhor – Autostradës “Ibrahim Rugova”, të njohur si \"Rruga e Kombit\".

Lajme

25/11/2013 14:36

Autostrada që mban emrin e Presidentit “Ibrahim Rugova”, e njohur ndryshe si “Rruga e Kombit”, do të përurohet sot me një ceremoni solemne të organizuar nga Qeveria e Kosovës.

Përurimi i autostradës nga Besia deri në Morinë do të bëhet në fshatin Mazgit, afër Prishtinës, me fillim në orën 16:00.

“Nën përkujdesjen e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi organizohet ceremonia e përurimit të përfundimit të projektit madhor për vendin tonë – Autostradës së Kombit”, thuhet në njoftimin e Qeverisë së Kosovës.

Dy segmetnet tjera të autostradës janë përuruar në dy vitet paraprake po në muajin nëntor, me praninë edhe të Kryeministrit të atëhershëm të Shqipërisë, Sali Berisha.

Si datë simbolike për përurimin e dy segmenteve të para të rrugës që lidh Kosovën me Shqipërinë atëherë ishte zgjedhur 28 Nëntori, Dita e Flamurit, ndryshe nga përurimi final i këtij segmenti të rëndësishëm rrugor ndërshqiptar, që është lënë për 26 nëntor.

Nuk dihet nëse në këtë përurim do të ketë të ftuar apo pjesëmarrës edhe nga institucionet e Shqipërisë, pasi ky inaugurim solemn ndodh katër ditë para garës së balotazhit, që do të mbahet të dielën në 25 komuna të Kosovës.