Sot nuk është dita të vajtoni!

E di mirë ku qëndrojmë, por sot jam më i fortë se kurdoherë tjetër! E di ku ishim para vitit 1999 dhe ku do të duhej të ishim. E njoh mirë pafuqinë time dhe paaftësinë e tyre për të ndryshuar. I njoh edhe armiqtë e pasluftës. Sot, sot është dita kur unë jam më i fuqishëm sesa i gjithë soji i tyre bashkë.

Opinion

17/02/2015 15:42

Nëpër botë ka popuj që kur iu vdes një anëtarë i familjes, pavarësisht moshës, çohen e bëjnë muzikë. Vallëzojnë dhe i falënderohen Zotit që nuk i ka harruar.

Edhe ne shqiptarët, në disa vise, u këndonim të vdekurve ditën e varrimit. Sidomos atyre që derdhnin gjakun për liri e pavarësi, në luftë me otomanë e me sllavë.

Në dergjen që na ka kapluar, kjo që po shkruaj, dikujt mund t’i duket arkaizëm, legjendë, e kotë, demode e tallave, që nuk ia vlen të kujtohet. Por, juve po ua kujtoj! Pikërisht ky zhvlerësim na ka sjellë këtu ku jemi.

Një malësori, që jetonte pranë kufirit, ia kishin vrarë djalin asokohe, rreth të njëzetave. Ia kishte falë Zoti pas shtatë vajzash. Nuk qante! Kur e ngushëllonin të afërmit, i falënderonte, pa harruar të thoshte: Ka edhe më keq!

Njëri nga të pranishmit, i habitur e shikonte mikun e tij që nuk i dridhej buza. Nuk ishte duruar pa e pyetur se çfarë është më e keqe se sa ajo që i kishte ndodhur. “Zoti nuk ka ditur se si të lëndojë më keq, o burrë”!?

“Eh, po sikur Zoti të më merrte edhe këto pak mend që më kanë mbetur, do ta humbisja gruan, do t’i lëndoja përjetësisht vajzat, ndërsa juve do t’ju gjuaja me gurë. Oborri do të më mbushej ‘lule therra’ e dikur do të ma merrnin edhe shtëpinë! Kjo do të ishte më tragjike”!

Ky malësori i lënduar, figurativisht është diçka si Kosova jonë e sotme! Pra është keq! Por ka edhe më keq! Prandaj është koha të mbledhim mendjen, të ruajmë atë që na ka mbetur derisa të arrijmë atje për çfarë u flijuan të gjithë heronjtë tanë, prej Gjergj Kastriotit deri te Adem Jashari.

Sot është e turpshme të vajtoni Kosovën, të lejoni që ta përdhosin dhe të ndjeni keqardhje ndaj saj, në kohën kur vetë ju nuk bëni asgjë për ta ruajtur.

Jeni vetëm qyqe kur e nënçmoni shtetin dhe talleni me identitetin tuaj. Kur përdorin fraza si: “Ne shqiptarët nuk mund të bëjmë shtet!”; “Ne nuk na duhet pavarësia!”; “Kështu është shqiptari…”; “S’ka jetë këtu!”; Duhet ikur prej Kosove!”.

Sot kujtojini ata politikanët e mjerë, në pozitë e opozitë, tek tallen prej vitesh me juve duke menduar se ia arritën të na gënjejnë të gjithëve edhe kësaj radhe. Kujtojini sot që t’i gjykojini nesër, jo me gurë, me votë dhe me mbrojtje të lirisë dhe demokracisë. Gjykojini ata me punën tuaj!

Kjo është dita kur të gjithë duhet të mbledhim mendjen. Sot më shumë sesa cilëndo ditë tjetër duhet të kujtomë të kaluarën, gjakun e derdhur, të falënderojmë Zotin e miqtë që ende nuk na kanë harruar, të ndjejmë keqardhje edhe për tjetërsimin e atyre që na lënduan dhe për ata që ikën prej nesh, të pashpresë.

Sot duhet të përmalloheni për gjithçka që kemi humbur, për të këqijat që gjatë këtyre viteve na sollën korrupsioni, krimi i organizuar, nepotizmi, varfëria e radikalizmi. Mos vajtoni, por mblidhni fuqinë që të mos na mbulohet oborrin me “lule therra”. Do të mbesim edhe pa shtëpi!?

E di mirë ku qëndrojmë, por sot jam më i fortë se kurdoherë tjetër! E di ku ishim para vitit 1999 dhe ku do të duhej të ishim. E njoh mirë pafuqinë time dhe paaftësinë e tyre për të ndryshuar. I njoh edhe armiqtë e pasluftës. Sot, sot është dita kur unë jam më i fuqishëm sesa i gjithë soji i tyre bashkë.

Është 17 Shkurti – Dita e Pavarësisë, dita kur duhet të mbledhim forcë dhe së bashku të mundim të keqen ngado që ajo vije. Ndryshimin ta fillojmë prej vetvetes dhe kështu do të ndryshojë shoqëria jonë, edhe kjo klasë politike, edhe shteti i Kosovës. Sot nuk është dita të vajtoni. Nëse keni menduar të ndryshoni, festoni!