Sot Komunat, nesër Kosovën

Isa Mustafa viziton sot Mitrovicën, Prizrenin dhe Hasin. Ai thotë se vendosmëria dhe entuziazmi në LDK, për t’i bërë mirë këtij vendi është më i madh se kurdoherë.

Lajme

22/09/2013 09:21

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, në prag të nisjes zyrtare të fushatës elektorale për zgjedhjet lokale të 3 nëntorit, po vijon takimet me elektoratin e kësaj partie.

Në mesditë ai do të takohet me banorët e Shiplot në Mitrovicë. Nga veriu ai do të niset drejt Perendimit, ku në orën 14:00, do të pijë një kafe në Shatërvan, me kandidatin e LDK’së për kryetar të Prizrenit, Eqrem Kryeziu dhe me anëtarët e listës së kësaj partie për Kuvendin Komunal.

Para nisjes së turit të vizitave të tij, Mustafa ka postuar një mesazh në Facebook, ku thotë se LDK beson në fitore.

“E diela, të cilën në perëndim e konsiderojnë ditë të zotit, do të jetë ditë e punës për shumë nga ne.”

“ Do të takohem me Kryetarin e ardhshëm të Prizrenit, prof. dr. Eqrem Kryeziu dhe kandidatët për këshilltarë të Kuvendit të Komunës së Prizrenit, në Shadërvanin e bukur. Në Mitrovicë do të takojmë qytetarët e Shipolit ndërkaq në Gjonaj të Hasit, hasjanët e LDK-së”.

“Vendosshmëria dhe entuziazmi në LDK për t’i bërë mirë këtij vendi është më i madh se kurrdoherë.”

“Besojmë!… Sot komunat, nesër Kosovën.”