Skandali i ‘pasaportave’, apo rruga e një procesi të humbur gjyqësor

Gjykata e Arbitrazhit në Paris mori vendim në rastin ndërmjet MPB-së së Kosovës dhe kompanisë austriake OeSD lidhur me rastin e ‘pasaportave’. MPB-ja e humbi rastin dhe nga 1.4 milion euro që OeSD-ja deklaronte se nuk iu paguan, tash MPB-ja duhet t’i paguajë 5 milion euro. Kjo për faktin se me rastin e humbur, MPB-ja duhet të paguajë edhe shpenzimet gjyqësore, kamatat dhe dëmshpërblimin.

Lajme

28/07/2016 20:01

Rrugën e humbjes së rreth 5 milionë eurove të buxhetit të Kosovës, Ministria e Punëve të Brendshme  e nisi me 5 nëntor 2010.

Kjo është data kur MPB-ja  publikoi një njoftim për kontratë në lidhje me furnizimin me pasaporta elektronike.

Tenderi  u hap në shkurt të 2011 dhe në maj të të njëjtit vit OeSD-ja u njoftua se kishte fituar tenderin, raporton lajmi.net.

Tenderi ishte prej 14 milionë e 127 mijë, e 3 euro e 24 cent. Ai u nënshkrua me 17 qershor 2011.

Por ky tender, në verën e vitit 2012,  u kthye në një nga skandalet më të mëdha. Në atë kohë, ministër i Punëve të Brendshme ishte Bajram Rexhepi.

Kompania austriake pretendonte  se MPB-ja nuk ia pagoi 1.4 milion euro për furnizimin me pasaporta, kurse shteti i Kosovës pretendonte se i ka paguar paratë sipas marrëveshjes, por të cilat humbën diku rrugës.

Ajo që ishte e autorizuar të bënte këtë transfer, sipas MPB-së,  ishte Natali Velija me firmën e saj “Consulting EU”, e cila në vitin 2012 u arrestua për mashtrim raporton lajmi.net.

Kjo bëri që MPB-ja,  ta ndërpresë kontratën para kohe me ‘OeSD-në’, pasi palët nuk arritën pas disa takimesh, të bien dakord për tejkalimin e situatës.

Pikërisht ky veprim bëri që palët të shqyrtojnë mundësinë e përballjes ligjore. Në mënyrë që t’i shmangen procedurave të gjata gjyqësore, MPB-ja dhe OeSD-ja  u dakorduan që për këtë rast të vendosë Gjykata e Arbitrazhit në Paris.

Në një gjykatë të tillë, pala humbëse duhet të paguajë edhe të gjitha shpenzimet procedurale të cilat një e tillë si ajo  e Parisit, i ka shumë të larta. Për më tepër, vendimi i saj është i paapelueshëm.

“Vendimi i arbitrazhit është përfundimtar dhe i detyrueshëm. Nuk mundet të ankohet askush ndaj atij vendimi vetëm nëse ka ndonjë të metë shumë serioze e nuk përkon me rendin juridik të shtetit”, ka thënë Virtyt Ibrahimaga, nënkryetar i Tribunalit të Arbitrave në Odën Ekonomike të Kosovës, raporton lajmi.net.

Por që kjo të mos ndodhte, e rastin të mos e humbiste, MPB-ja me procedurë të negociuar, zgjodhi  avokatin Ahmet Hasollin, të cilit ia dha rreth 100 mijë euro që t’i mbrojë interesat në saj.

Hasolli është kontaktuar disa herë më parë nga lajmi.net, por ai ka hezituar të flasë duke thënë se për këtë çështje duhet të pyetet vetëm MPB-ja. Në këtë rast, kjo ministri ka hezituar gjithmonë të deklarohet.

Ibrahimaga pati deklaruar për BIRN se janë dy lloje të Tribunalit të Arbitrazhit, si i përhershëm (sikurse i  OEK-ut) dhe Ad-Hoc (atypëratyshme).

Në Tribunalin Ad-Hoc të dy palët përzgjedhin nga një arbitër e këta dy përzgjedhin arbitrin e tretë ose të dy palët bien dakord vetëm për një arbitër.

“Në kontestet komerciale kryesisht kompanitë e mëdha nuk dëshirojnë të kenë procedura shumë të gjata gjyqësore”.

Ibrahimaga thotë se secili shtet ka ligj për arbitrazh me të cilën sigurohet ekzekutimi i  vendimit.

“Edhe Kosova e ka ligjin dhe përmes tij përcaktohet që vendimet e arbitrazhit janë të ekzekutueshme”, thotë ai. “Për Kosovë, ligji i arbitrazhit e përcakton se një vendim i një arbitrazhi të huaj është i ekzekutueshëm në Kosovë”.

Por derisa procesi gjyqësor në Gjykatën e Arbitrazhit ka vazhduar , në anën tjetër një proces gjyqësor është zhvilluar në Kosovë, raporton lajmi.net.

Lidhur me zhdukjen e 1.4 milion eurove, shtetasja gjermane, Natali Veliaj, në vitin 2014, është dënuar nga drejtësia kosovare me 12 vjet burg dhe 25 mijë euro gjobë.

Ndërsa, Fisnik Balaj, i akuzuari i dytë në rastin e pasaportave është dënuar me 11 vjet burg dhe 25 mijë euro gjobë.

Por këtë vit, shtetases gjermane, Natali Veliaj, Gjykata e Apelit ia ka hequr katër vjet, prej dënimit prej 12 vjetësh, ndërsa Fisnik Blakajt ia ka hequr gjashtë nga 12 vjet.  Ata do të paguajnë secili edhe  nga 25 mijë euro gjobë.

Në janar të këtij viti, Ministria e Punëve të Brendshme, kishte konfirmuar për lajmi.net se kishte përfunduar seanca kryesore në Gjykatën e Arbitrazhit në Paris, ndërmjet shtetit të Kosovës dhe kompanisë austriake ‘OeSD’.

Por marrja e këtij vendimi është shtyrë disa herë që nga ajo kohë. Nga janari ishte thënë se vendimi do të merret në mars, pastaj ishte shtyrë për në muajin maj, më vonë në qershor, por së fundi rezulton se është marrë në korrik.

Aktualisht Kosova furnizohet me pasaporta që i prodhon kompania gjermane “G&D”. /Lajmi.net