Skandalet për ngacmime seksuale në Medrese, kjo ishte “hytbeja” e xhumasë në xhaminë “Alauddin”

Në Medresenë “Alauddin” ditë më parë janë zbuluar disa skandale siç janë ngacmimet seksuale dhe bisedat erotike mes profesorëve të kësaj medreseje dhe nxënëseve.

Lajme

19/10/2018 14:47

Bisedat  e publikuara kanë krijuar një opinion publik, pasi skandalet  e tilla nuk përkojnë me mësimet e fesë Islame, siç kanë bërë të ditur edhe njohës të kësaj fushe, shkruan lajmi.net

Mirëpo, kjo temë nuk është prekur fare në ‘hytben’ (ligjëratën) e xhumasë në xhaminë Alaudin në kryeqytet.

Madje, imami i kësaj xhamie ka ligjëruar për shprehjet e bukura që myslimanët duhet t’i përdorin në përditshmërinë e tyre në raport me Zotin dhe njerëzit tjerë, duke mos komentuar as tërthorazi skandalin që po përballet medreseja tash e disa ditë.

Këto skandale janë zbuluar nga një profesor dhe ishin nxënëset ato që kanë pranuar se janë ngacmuar seksualisht nga profesorët emrat e të cilëve tashmë janë publik.

Kujtojmë, se në lidhje me këtë rast Prokuroria Themelore në Prishtinë pritet që shumë shpejt të nisë hetimet lidhur me akuzat se në Medresenë “Alauddin” ka pasur ngacmime seksuale ndaj nxënëseve.

Akuzat për ngacmime seksuale i ka ngritur teologu Emin Bajrami, i cili pretendon se në ngacmime seksuale janë përfshirë dy profesorë të Medresesë.

Në një reagim para disa ditësh Medreseja ka thënë se këto “janë shpifje e gënjeshtra”.

Ndërkohë, Bashkësia Islame ka thënë se është e gatshme të bashkëpunojë me organet hetuese. /Lajmi.net/