Siria në vendin e parë me azilkërkues në Gjermani, Kosova të nëntin

Autoritetet gjermane kanë publikuar shifrat e azilkërkuesve për muajin gusht. Sipas të dhënave, 8,306 shqiptarë kanë kërkuar azil muajin e kaluar në Gjermani, duke shënuar një numër më të lartë në krahasim me muajin korrik.

Lajme

12/09/2015 12:24

Në tabelat e publikuara nga Ministria e Brendshme Gjermane rezulton se azilkërkuesit shqiptarë vijojnë të renditen të dytët, pas atyre sirianë, edhe për muajin që lamë pas, transmeton BW. Në muajin gusht, 8,306 shqiptarë kanë kërkuar azil, ndërkohë që korriku numëronte 7,633.

Ndërkaq, sipas kësaj liste, gjatë muajit gusht, azilkërkues nga Kosova në Gjermani ishin vetëm 781, në krahasim me 1,395 në muajin korrik dhe 1,581 në muajin qershor.

syria---

Gjermania ka bërë të qartë se do të ofrojë azil vetëm për qytetarët e vendeve që janë në luftë, duke shuar shpresat për shqiptarët, pasi vendi ynë është përfshirë në listën e vendeve që konsiderohen të sigurta.

Presidenti i Komisionit Evropian Jean-Claude Juncker shpalli pak ditë më parë një listë të veçantë të BE-së për 7 vendet që i përcakton si të sigurta: Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi, Serbia, Bosnja, Kosova dhe Turqia.

Sipas propozimit të zgjeruar të shpallur nga Juncker, qytetarët e këtyre vendeve do të përballen me deportime me procedurë të përshpejtuar, nëse kërkojnë strehim në Bashkimin Evropian.