Si ndikon Facebooku në pamjen e femrave?

Nëse jeni njëra nga 1.3 miliardë përdorueset e rregullt të Facebookut, e dini se çfarë ndjenje është të postoni një foto të re në Facebook.

Lifestyle

04/02/2015 21:41

Nëse ju nuk e përdorni Facebook-un, e tëra që ju nevojitet është të merrni shembull vetëm një autobus të zënë, për të parë njerëz të panumërt duke shfletuar Facebook-un në celularët e tyre, duke shikuar fotot e “miqve” të tyre dhe duke u kënaqur me veten.

Kur krijohet një profil në Facebook, shumica e njerëzve zgjedhin që të paraqesin një version më ideal të vetës së tyre. Ata publikojnë vetëm fotografitë më të mira në profilin e tyre dhe i fshijnë ato të padëshirueshmet.

Përdoruesit e Facebook postojnë rreth dhjetë milion foto të reja çdo orë. Kjo u siguron përdoruesve mundësi më të mira për të krahasuar pamjen e tyre me të tjerët.

Ne e dimë se femrat që shpesh e krahasojnë pamjen e tyre me të tjerat janë më pak të kënaqura me mënyrën se si ato duken, veçanërisht kur ato e krahasojnë vetën me të tjerat, për të cilat ato mendojnë se janë më tërheqëse, transmeton Lajmi.net.

Dekada të hulumtimit po ashtu tregojnë se shikimi i fotografive nga forma tradicionale të medias, të tilla si revista apo televizion, mund të shkaktojë që femrat e reja të jenë të pakënaqura me trupin e tyre, gjë kjo e cila i vë ato në një humor të keq.

Por, hulumtimet e kohëve të fundit tregojnë se koha që shpenzohet në Facebook e rrit shqetësimin te femrat e reja për fytyrën e tyre, flokët dhe trupin në përgjithësi.

Kjo mund të ndodhë për shkak se Facebook-u përmban më shumë imazhe të fytyrës dhe të trupit të njerëzve, të cilët në shumicën e rasteve kanë dëshirë që ta promovojnë atë në rrjet.

Në një studimin, 112 studente universitare shpenzuan dhjetë minuta duke shfletuar llogarinë e tyre në Facebook. Pastaj iu kërkua atyre të japin një vlerësim rreth humorit aktual të tyre dhe nivelit të pakënaqësisë për trupin e tyre.

Një javë më vonë, pjesëmarrëset raportuan se sa shpesh e kishin krahasuar dukjen e tyre në mënyrë të përgjithshme, transmeton Lajmi.net.

Studiuesit gjetën se koha e kaluar në Facebook nuk ndikon në atë se si ndjeheshin ato për trupin e tyre. Në vend të kësaj, pasi që ato shpenzuan shumë kohë në Facebook, femrat të cilat e krahasuan dukjen e tyre me të tjerat shpesh ishin motivuar për të ndryshuar diçka tek vetja.