Si jetohet dhe si vdiset në Kosovë

Për gjendjen në një shtet, në një shoqëri, shpeshherë më mirë kuptohet përmes të vdekurve se sa nëpërmjet të gjallëve.

Lajme

21/08/2014 16:58

Se çfarë është një shoqëri, çka është një shtet, si është e organizuar një Qeveri, si funksionon një politikë, nuk kuptohet dot vetëm duke pasur si njësi matëse jetën mesatare të qytetarëve të një shteti a një shoqërie. Diç e tillë merret vesh shpeshherë më mirë kur kuptohet se si vdiset në një vend, apo çka bëhet me të vdekurit.

Ndodhë pra që vdekja të jetë përcaktuesja kryesore e një vendi. Dhe kjo ndodhë jo vetëm kur në atë shtet ka luftë, apo kur ai shtet është në luftë me një shtet tjetër.

Shembujt kosovar e kanë radhën.

Ta zëmë, demokracia kosovare, apo, procesi kyç i krijimit të institucioneve të vendit, përmes zgjedhjeve të lira dhe demokratike, njeh të vdekurit si votues. Dhe jo qindra veta, por dhjetëra mijëra të tillë ende janë në Listat e votuesve. Prania e tyre në këto Lista, siç dihet botërisht, ka qenë dhe mbetet burim i manipulimit në zgjedhje. Të vdekurit e vërtetë, paraqiten si votues të njëmendtë, dhe ndodhë pastaj mashtrimi me votimet e rreme.

Nuk ka çka të flitet e të diskutohet për cilësinë e zgjedhjeve, për nivelin e demokracisë në vend, derisa të mos përfundohet një operacion i domosdoshëm i pastrimit të Listave të votuesve prej të vdekurve. Kaq e thjeshtë është puna. Dhe kaq vështirë ka qenë të kryhet ky detyrim deri tash. Apo, kaq vullnet ka pasë.

Çfarë paradoksi: Të vdekurit rrezikojnë demokracinë në Kosovë. Falë të gjallëve.

Shembulli i dytë: Vdekjet në trafik gjatë dy muajve të verës, kur dhjetëra mijëra shqiptarë të Kosovës që jetojnë në Perëndim, vijnë për pushime në Atdhe.

Kronikë e vdekjeve të paralajmëruara: Kështu disi mund të parashihet, siç ka qenë puna deri tash, çdo stinë verore me familjarët tonë që kthehen në Kosovë.

Është folur shumë për këtë temë, ka pasur premtime sa të duash prej të gjitha anëve, është diskutuar në të gjitha nivelet qeveritare dhe joqeveritare, por ja që gati që nuk kalon një ditë e vetme, pa raportimet nëpër media për aksidentet e rënda në trafik.

Janë këto vdekje të rënda.

Shumëkush mund të thotë këtu që tragjedi në rrugë ndodhin kudo, edhe në shtetet më të organizuara perëndimore. Saktë. Nuk ka gjasa që të mbërrihet në nivelin zero të aksidenteve. Kurrë. Por ndër ne, gjithçka merr përmasat e asisoji, të cilat na shfaqen, me gjithë fuqinë e fakteve tragjike, dhe me konkludimet që nënvizojnë dobësitë e shumta në organizimin tonë si shtet.

Mund të bëhet shumë më tepër që rrugët e Kosovës të mos bëhen burime thuaja të përditshme të të vdekurve dhe të lënduarve,

Shembulli tjetër: Vdekjet nga ri-shfaqja e Kanunit në Kosovë.

Në vitet 1990-1993, kur Lëvizja e madhe për pajtimin e gjaqeve i ra Kosovës trup e tërthorë, ishte kjo njëra prej porosive më të veçanta, për rrugën kombëtare që kishin marrë shqiptarët në Kosovë. Nuk duhej vdekur më në përplasjet pa fillim dhe pa fund ndër ne. Duhej jetuar për njeri-tjetrin.

Vdekja, pos asaj që vije natyrshëm, duhej të kuptimësohej me raportin që secili prej nesh duhej ta vendosnim me Mësymjen kombëtare për çlirim të Kosovës, për bërjen e shtetit të Kosovës.

Njëzet e më shumë vjet prej atëherë, jemi bërë të lirë, jemi bërë me shtet, dhe kemi kthyer Kanunin. Fëmijët vriten udhëve të Kosovës, në emër të një çorodie prej drejtësie. Nuk shihet që ka përpjekje të re në raportin një me njëqind me atë të Lëvizjes së para njëzet vjetëve.

Ne tash bashkëjetojmë me Kanunin. E jemi shtet. Dhe themi që këtupari ka dhe duhet të ketë Sundim të ligjit.

Shembulli vijues: Vrasjet që kanë dorasin e qartë, i cili pastaj arrin të ikë prej drejtësisë. Ka edhe shumë vrasje, ku sot e kësaj dite, nuk është zbardhur as ai që ka shtënë, dhe as ai që ka urdhëruar.

Natyrisht, sërish thirremi në sundim të ligjit.

Në Kosovë mund të vdesësh prej një tjegulle a një blloku të betonit që dikush e ka harruar në një ndërtesë, mund të të godas një plumb qorr që shkrepet për vitin e ri apo për një martesë e gazmend familjar.

Një vdekje punë qejfi. Thënë ndryshe.

Taksirati të gjen kudo. Do të thoshin pleqtë. Por rendi është të pranojmë që kështu nuk duhet të vdes askush në Kosovë. Apo jo.

(Autori është Nënkryetar i AAK-së dhe kolumnist i rregullt i lajmi.net)