Shumë shpejt do të fillojë autostrada Prishtinë-Hani i Elezit

Edhe pse nuk ka ende një datë të saktë për fillimin e punimeve në autostradën Prishtinë – Hani i Elezit, sipas RTK-së, kjo punë është çështje ditësh. Burime të saj kanë konfirmuar se është çështje ditësh nënshkrimi i kontratës me kompaninë fituese `Bechtel-Enka`.

Lajme

23/04/2014 22:17

Megjithëkëtë, ekspertë të ekonomisë presin që Qeveria të jetë më transparente gjatë ndërtimit të autostradës së dytë në vend.

Zyrtarwt e Ministrisë së Infrastrukturës nuk kanw qenw tw gatshwm tw flasin pwr kwtw, por kanë thënë se grupet punuese janë në finalizim të kontratës dhe se fillimi i ndërtimit të autostradës është çështje ditësh.

Se punimet në këtë autostradw pritet të fillojnë shumë shpejt, këtë e konfirmoi edhe kryeministri Hashim Thaçi gjatë vizitave të tij të shpeshta nëpër kompani kosovare.

“Jemi në ditët finale të ndërtimit të autostradës Prishtinë-Shkup, dhe tjetra do të shkojë në drejtim të Vitisë dhe Gjilanit”, ka thënë Thaçi.

Burime të televizionit publik brenda Ministrisë së Infrastrukturës bëjnë me dije se vetëm disa ditë pas nënshkrimit të kontratës me kompaninë fituese do të fillojnë punimet. Këta zyrtarë thonë se me rastin e nënshkrimit të kontratës ajo do të bëhet publike në mënyrë që të mos lihet hapësirë për dyshime.

Analisti ekonomik, Ibrahim Rexhepi nuk di pse ka vonesa në ndërtimin e autostradës për Shkup.

“Pa marr parasysh se është kosto e rëndë, Kosovës i është dashur kjo autostradë”, theksoi Rexhepi. Ai pret që kësaj radhe qeveritarët të jenë më transparentë, duke mësuar nga gabimet që kanë mundur të ndodhin në ndërtimin e Rrugës së Kombit.

“Kjo do ta shpëtonte këtë ministri dhe qeveri që ta hapë dokumentacionin, se ministri ka obligim të japë llogari dhe të tregojë se ku po i shpenzon parat para tatimpaguesve”, shtoi Rexhepi.

Autostrada Prishtinë-Han i Elezit është e dyta që bëhet në vitet e fundit në Kosovë.

Autostrada e parë ka kushtuar mbi 800 milionë euro, ndërsa kjo që pritet të fillojë tani, ka një kosto prej 600 milionë eurosh.